Vendosni fjalën kyçe....

Uniformat e policisë në Maqedoninë e Veriut do jenë edhe në gjuhën shqipe


Uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në komunat ku mbi 20 për qind e popullasisë është me shqiptarë.

Në njoftimin e Qeverisë, të publikuar të martën, 15 mars, thuhet se vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare (gjuhën shqipe) të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që përdoret nga së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Vendimi hyn në fuqi në ditën e tetë nga publikimi në Gazetën Zyrtare, dhe do të fillojë të zbatohet brenda një viti nga hyrja në fuqi.

Vendimi është bërë i ditur edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik, Artan Grubi, i cili në rrjetet sociale ka bërë të ditur se “Qeveria ka vendosur që uniformat e policisë në të ardhmen të kenë mbishkrim edhe në gjuhën shqipe”.

“Edhe një detyrë tjetër u përmbush sot! Gjuha shqipe edhe në uniformat e policisë”, ka shkruar Grubi në rrjetin social Facebook.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në janar të vitit 2019.