Vendosni fjalën kyçe....

Bledi Çuçi: Mbi 300 ukrainas kanë ardhur nga lufta në Shqipëri, do marrim masa për t’ju gjendur pranë


Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi thotë se Shqipëria ka strehuar deri më tani 351 shtetas ukrainas që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.

Këtë shifër ai e ka zbuluar pas një takimi me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

Ndërsa publikon disa foto nga ky takim, Çuçi shprehet se e ka garantuar ambasadorin Shkurov për mbështetjen e Shqipërisë ndaj shtetasve ukrainas.

“Pata sot një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, të cilin e garantova për mbështetjen e Shqipërisë për shtetasit e Ukrainës që kanë ardhur në vendin tonë apo që mund të mbërrijnë në të ardhmen për shkak të luftës. Aktualisht në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina, të cilëve iu është dhënë mbrojtja e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin.

Të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratojmë në vijim nëse është e nevojshme, për t’ju gjendur pranë atyre që largohen nga konflikti. Shqipëria është një shembull shumë domethënës kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë. E dëshmuam këtë edhe së fundi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’ju gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira.”- shkruan ministri Çuçi.