Vendosni fjalën kyçe....

Duma: Lulzim Bashës i është lënë kohë deri nesër për t’u tërhequr


Deputetja e PD-së, Grida Duma, ka thënë sot se deputetët i kanë dhënë kohë deri nesër kreut Basha për t’u tërhequr.

Ajo tha se largimi i Bashës është rruga e vetme që i mundëson PD-së që të bashkohet e të hyjë në një proces zgjedhor për kreun e ri.

“Nëse ka një arsye të vetme për të cilën kemi qëndruar në bllok si grup parlamentar, për të kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës është një dhe vetëm një, Partia Demokratike nuk mund të zvogëlohet më. E dalë e tretë në zgjedhjet e 6 marsit demokratët nuk pranojnë të jenë humbës, duhet dhe janë fitues. Për këtë arsye asnjë mekanizëm, qoftë ky edhe i keqardhjes së disa individëve që në shumicën e asaj salle janë të emëruar e jo të zgjedhur më votë nuk duhet keqpërdorur për të keqpërdorur PD-në. Ai që i bën dëm asaj partie duhet të bëjë hapa pas në mënyrë që të parevokueshme.” – tha Duma.

Ajo shtoi më tej se mënyra e vetme për të zgjedhur kreun e ri të partisë dhe bashkimin e saj është ngritja e një komisioni të gjerë ku bëjnë pjesë deputetët e grupit parlamentar dhe ata që janë pjesë e foltores. Duma theksoi se procesi zgjedhor do marrë disa muaj.

“Deputetët i kanë lënë kohë deri ditën e nesërme Lulzim Bashës siç edhe ai e kërkoi në mbledhjen e grupit parlamentar. Lulzim Basha tha hapi im pas dhe tërheqja  ime është e padiskutueshme, unë e kam marrë atë vendim, do tërhiqem. Më jepni pak kohë dhe më jepni mundësinë që të qartësohem me disa struktura të tjera për të bërë të ditur vendimin tim në mënyrën se si do tërhiqem në mënyrë që kjo të jetë në mënyrën më konstruktive të mundshme. Ka vetëm një rrugë për bashkimin e PD-së, ngritja e një komisioni me bazë të gjerë  që përfshin deputetët e grupit parlamentar dhe deputetët që janë sot te grupimi i foltores të cilët duhet ta çojnë PD-në drejt një procesi zgjedhor që do zgjasë disa muaj.” – shtoi Duma.