Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mohuar akuzat se qeveria franceze ka shkelur sanksionet evropiane duke miratuar eksportin prej 152 milionë eurosh (167 milionë dollarë) të pajisjeve ushtarake në Rusi që nga viti 2015, të cilat Moska tani thuhet se po i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës.
“Franca ka vepruar në përputhje me angazhimet e saj ndaj ligjit ndërkombëtar”, tha Macron, në përgjigje të pyetjes nëse është e vërtetë se Parisi i ka dorëzuar pajisje ushtarake Rusisë, edhe pse po përpiqet të ndërmjetësojë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë vizitës së djeshme në një qendër pritjeje për refugjatët në rajonin Maine et Loire në Francën perëndimore, kreu i shtetit francez u përball me mediat lidhur me gjetjet e një platforme jofitimprurëse të gazetarisë investigative, e cila vërtetoi se midis viteve 2015 dhe 2020 Franca ka armatosur fshehurazi Rusinë.
Macron tha se vendimi për dorëzimin në lidhje me kontratat e armëve u mor nga paraardhësi i tij, Francois Hollande. Disa nga këto kontrata u pezulluan, pasi nuk ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe situatën në atë kohë në vitin 2014, kur Rusia pushtoi dhe më pas aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Ai tha se Pajisjet që iu dorëzuan Moskës përbëheshin nga sasi të vogla dhe shënonin fundin e kontratës përpara embargos.
Të hënën, platforma jofitimprurëse e gazetarisë investigative “Disclose” zbuloi dokumente nga raporti më i fundit i parlamentit francez mbi eksportet e armëve, që zbuloi se Franca kishte lëshuar 76 licenca eksporti për material lufte në Rusi që nga viti 2015. Qeveritë e administruara nga Hollande dhe Macron dorëzuan armët edhe pasi Bashkimi Evropian (BE) vendosi embargo armësh në vitin 2014 pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska.
Raporti i “Disclose” pretendon se qeveria franceze përfitoi nga një boshllëk ligjor i embargos dhe vazhdoi të përmbushte detyrimet e kontratës së armëve pasi embargoja “nuk ishte retroaktive” dhe vlente vetëm për kontratat e reja.
Edhe pse ish-presidenti Hollande anuloi shitjen e dy helikopter-mbajtësve ‘Mistral’ Rusisë në vitin 2015 nën presionin e vendeve evropiane dhe SHBA-së, qeveria franceze në vitet në vijim vendosi të vazhdonte dorëzimin sipas kontratave të armëve, të cilat ishin nënshkruar përpara embargos.
“Qeveria franceze në asnjë moment nuk ngriti dyshime rreth përdorimit të mundshëm të tyre”, thuhej në raport, duke u theksuar se me vazhdimin e dërgesave të armëve deri në vitin 2019 “është e mundur që Franca t’i japë një avantazh tjetër ushtarak (presidentit rus, Vladimir) Putin”.
Ky pretendim vërtetohet duke identifikuar disa furnizime për ushtrinë ruse nga gjigantët francezë të mbrojtjes ‘Safran’ dhe ‘Thales’, të cilët ishin përfituesit kryesorë të këtyre kontratave. Qeveria franceze ka aksione të mëdha në dy kompanitë e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes, raporton AA.
Këto përfshijnë sisteme më të avancuara navigacioni për 60 avionë luftarakë Sukhoi Su-30, 55 kamera termike për tanke ruse, 800 kamera Catherine XP me imazhe termike me pamje nate për të identifikuar objektivat njerëzore të prodhuara nga Thales, kamera termike Matis për tanke dhe sistemet e imazhit infra të kuqe për helikopterët Ka-52 të prodhuar nga Safran.
Megjithëse shumica e këtyre pajisjeve nuk janë vdekjeprurëse, ato janë të destinuara për modernizimin e ushtrisë ruse dhe mund të përdoren tashmë në luftën në Ukrainë. Ekspertët ushtarakë kanë zbuluar përdorimin e këtyre pajisjeve më të fundit franceze në avionë dhe tanke luftarake nga forcat e armatosura ruse në fushatat e tyre të bombardimeve dhe të avancimit drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.