Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Hagës urdhëron Rusinë të ndërpresë sulmin në Ukrainë


Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara ka urdhëruar Rusinë të ndalojë operacionin në Ukrainë, duke mbështetur masat e kërkuara nga Kievi, megjithëse shumë janë skeptikë se Rusia do të respektojë.

Dy javë më parë, Ukraina i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të ndërhynte, duke argumentuar se Rusia shkeli Konventën e Gjenocidit të vitit 1948 duke akuzuar në mënyrë të rreme Ukrainën për kryerjen e një gjenocidi dhe duke e përdorur atë si një pretekst për pushtimin e vazhdueshëm.

“Federata Ruse do të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake speciale që filloi më 24 shkurt 2022.”- tha presidentja e gjykatës, gjyqtarja amerikane Joan E. Donoghue, citon Associated Press.

Vendet që refuzojnë t’u binden urdhrave të gjykatës mund t’i referohen Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Rusia ka të drejtën e vetos.

Megjithatë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy e përshëndeti këtë vendim si një fitore të madhe.

“Ukraina mori një fitore të plotë në çështjen e saj kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.”- shkroi ai në Twitter. “GJND urdhëroi që të ndalet menjëherë pushtimi. Urdhri është i detyrueshëm sipas ligjit ndërkombëtar. Rusia duhet të respektojë menjëherë. Injorimi i urdhrit do ta izolojë Rusinë edhe më shumë.”

Javën e kaluar, Rusia argumentoi me shkrim se gjykatës me bazë në Hagë i mungonte juridiksioni për të dëgjuar çështjen dhe se asgjë në konventë nuk ndalon përdorimin e forcës.