Prej disa muajsh gropat në dy rrugë të Tiranës vetëm sa janë thelluar. Ato janë vetëm një pjesë e gropave që mund të hasen edhe në rrugë të tjera të kryeqytetit.
Bëhet fjalë për rrugët ‘Dine Hoxha’ e ‘Azem Galica’.
Fillimisht gropa të vogla, ato janë shndërruar në kratere të thella që jo vetëm dëmtojnë mjetet që kalojnë aty dhe pengojnë qarkullimin e lirshëm për shkak se drejtuesit e mjeteve përpiqen që të mos bien në to, por në jo pak raste janë kthyer edhe në rrezik serioz për aksidente.
Bëhet fjalë për disa të tilla që shtrihen përgjatë dy rrugëve në fjalë. Si të mos mjaftonte kjo, pak ditë më parë, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve riparoi një tub të çarë në kryqëzimin e rrugës duke lënë aty një grumbull dheu anash.
Në zonë patrullojnë shpesh makina të Policisë së Shtetit apo Policisë Bashkiake po mesa duket as atyre nuk ua kanë vrarë sytë gropat në mes të rrugës.