Kryenegociatori rus Vladimir Medinsky thotë se negociatat aktuale me Kievin janë të vështira dhe të ngadalta, por Rusia është e sinqertë në dëshirën e saj për të arritur paqen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Bisedimet janë të vështira dhe të ngadalta. Natyrisht, ne do të donim që ato të vazhdonin shumë më shpejt. Kjo është dëshira e sinqertë e Rusisë. Ne duam të arrijmë paqen sa më shpejt të jetë e mundur.”- tha Medinsky sipas agjencisë së lajmeve ruse TASS.
“Detyra kryesore e negociatorëve është të kërkojnë nëpër një numër të madh çështjesh komplekse për të zgjedhur ato për të cilat është e mundur marrëveshja, të mbështeten në to, të përfshijnë këto pika të marrëveshjes në axhendë dhe të ecin gradualisht përpara hap pas hapi drejt rezultatit të fundit që do t’u përshtatet popujve tanë – arritja e paqes.”– tha ai.
Medinsky vuri në dukje se ai nuk do të preferonte të fokusohej në problemet që dalin në procesin e negociatave.
“Në të vërtetë, përpjekja e shtetit tonë dhe detyra e vendosur nga presidenti është të arrihet paqe në tokën ukrainase, të shohim një shtet paqësor, neutral dhe miqësor, i cili nuk do të jetë bastion i NATO-s apo një kështjellë e forcave që dëshirojnë të dëmtojnë vendin tonë.”- përfundoi ai.