Vendosni fjalën kyçe....

Pulat e ngordhura në Durrës, Ministria e Bujqësisë: Nuk ka asnjë rast të gripit të shpendëve


Pas raportimeve të fundit në medie lidhur me rreth 400 mijë pula të ngordhura brenda 2 javëve në pularitë e Durrësit, ka reaguar Ministria e Bujqësisë.

Përmes një njoftimi rrëzohet mundësia që pulat të kenë ngordhur si pasojë e të ashtuquajturit gripit të shpendëve.

Po ashtu thuhet se rezultatet në laborator konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët. 

Megjithatë nuk bëhet me dije se cili ka qenë shkaku i ngordhjes së kaq shumë pulave.

“Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Institutit për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë informon opinionin publik se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani.

Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve.

Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët. 

Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme.

Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike.”– thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.