Vendosni fjalën kyçe....

Stoltenberg: Aleatët e NATO-s të bashkuar, nuk do ketë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë të ditur se Aleanca mban të njëjtën linjë për sa i përket mos vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit në Ukrainë.

Siç shkruan “The Guardian” Stoltenberg ka folur në një konferencë për shtyp pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të aleancës.

Ai tha se vendet e NATO-s janë të bashkuara në qëndrimin për të mos krijuar një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë, pavarësisht se presidenti i saj, Volodymyr Zelenskiy, ka bërë thirrje vazhdimisht për një të tillë.

“Nuk do të ketë dislokim të kapaciteteve ajrore apo tokësore në Ukrainë dhe ky është qëndrimi i bashkuar i aleatëve tanë.”– u tha ai gazetarëve.

Ai shtoi: “Ne shohim shkatërrim, shohim vuajtje njerëzore në Ukrainë, por kjo mund të bëhet edhe më e keqe nëse NATO ndërmerr veprime që në fakt e shndërrojnë këtë në një luftë të plotë midis NATO-s dhe Rusisë.”