Zbulohet shtëpia e kanabisit në Tiranë, arrestohet një 32 vjeçar


Policia e Tiranës ka zbuluar një shtëpi e cila ishte kthyer në ambient për kultivimin e kanabisit.

Gjatë kontrollit u sekuestruan pajisjet dhe bimë narkotike si dhe u arrestua shtetasi E.N 32 vjeç.

Lënda narkotike ishte mbjellë në 81 vazo dhe në apartamentin e përshtatur ishte kryer një lidhje e paligjshme energjie që dyshohet se ka çuar në zbulimin e vendit të aktivitetit të paligjshëm.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugano 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me OSHEE.

Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.

Vihet në pranga 1 shtetas, sekuestrohen pajisje për kultivimin e kanabisit, llamba dhe bimë narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas në pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, në rrugën “Sotir Caci”, kishte përshtatur banesën e marrë me qira, për kultivim të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lugano 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. N., 32 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ky shtetas, gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet nga banesa të cilën kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, duke u hedhur nga kati i tretë.

Gjatë kontrollit të kësaj banese, në rrugën “Sotir Caci”, janë gjetur dhe sekuestruar pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, llamba dhe 81 vazo me bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike””-njofton policia.