Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky thirrje Bidenit: Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes


Gjatë fjalimit të tij në Kongresin e SHBA-ve, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky iu drejtua me një thirrje direkte presidentit amerikan Joe Biden.

Ai e uroi atë të bëhet lider i botës, por theksoi se për t’u bërë i tillë duhet të jetë lider i paqes.

“Unë nuk shoh asnjë kuptim në jetë nëse nuk mund të ndalohen vdekjet. Dhe kjo është çështja ime kryesore si udhëheqës i popullit të madh ukrainas dhe si udhëheqës i kombit tim. Po i drejtohem Presidentit Biden: Ti je lideri i kombit, i kombit tënd të madh. Të uroj të jesh lider i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes.”- tha Zelensky në anglisht, duke përfunduar fjalën e tij, citon CNN.

Gjatë fjalimit të tij që e nisi në gjuhën ukrainase por e përfundoi ën anglisht, Zelensky u kërkoi liderëve perëndimore që të luftojnë për jetën e njerëzve të botës.

“Sot nuk mjafton të jesh lider i kombit… Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes. Paqja në vendin tënd nuk varet më vetëm nga ti dhe nga populli yt. Kjo varet nga ata pranë teje, mbi ata që janë të fortë. I fortë nuk do të thotë i dobët. I forti është trim dhe i gatshëm të luftojë për jetën e qytetarëve të tij dhe qytetarëve të botës. Për të drejtat e njeriut, për lirinë, për të drejtën për të jetuar me dinjitet dhe të vdesësh kur të vijë koha jote dhe jo kur të dojë dikush tjetër, fqinji yt.”- tha ai.

Sipas tij, ukrainasit po mbrojnë Ukrainën dhe vlerat e Evropës dhe madje të botës. Ai i kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëjnë më shumë për Ukrainën.