Presidenti amerikan, Joe Biden, do të flasë me telefon më 18 mars me udhëheqësin kinez Xi Jinping, njoftoi Shtëpia e Bardhë, pasi Shtetet e Bashkuara i bëjnë presion Kinës që të mos ofrojë mbështetje për Rusinë në pushtimin e saj në Ukrainë.
“Presidenti Biden do të flasë me presidentin Xi nesër (e premte) dhe do t’ia bëjë të qartë se Kina do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që do të ndërmarrë për të mbështetur agresionin rus”, tha sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken në një konferencë për shtyp më 17 mars.
Biden dhe Xi gjithashtu do të diskutojnë konkurrencën ekonomike midis dy vendeve, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Kjo është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të mbajtur linja të hapura komunikimi midis dy vendeve”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
“Të dy liderët do të diskutojnë menaxhimin e konkurrencës midis dy vendeve tona, si dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe çështje të tjera me interes të përbashkët”, tha Psaki.
Telefonata ishte planifikuar pas takimit në Romë më 14 mars, midis këshilltarit të sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan dhe këshilltarit të lartë kinez për politikën e jashtme, Yang Jiechi.