Vendosni fjalën kyçe....

Mashtrimi me “Call Center”-at, Tonin Vocaj jep detaje: Mashtruan 2 mijë gjermanë


SPAK publikoi sot një njoftim zyrtar lidhur me arrestimet e kryera në “Call Centerat” në Tiranë. Gjatë kontrolleve të kryera në tetë ambientet e subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, sisteme elektronike dhe prova të tjera materiale që dokumentojnë se nga viti 2018 e në vazhdim këta subjekte kanë kryer mashtrimin e qytetarëve gjermanë duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.

Po ashtu, pak momente më herët edhe drejtori i Policisë Kriminale Tonin Vocaj, ka dalë në një deklaratë për mediet për të dhënë detaje për operacionin e finalizuar sot me urdhër të SPAK-ut, kundër mashtrimit me anë të Call Center-ave në Tiranë.

Vocaj tha se në pranga janë vënë 15 persona ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe 23 të tjerë.

Dyshohet se nga të rinjtë shqiptarë janë mashtruar rreth 2 mijë shtetas gjerman, ndërkohë që vlera e marrë dyshohet se është afro 5 milionë euro.

Njoftimi i policisë:

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, konferencë për shtyp në lidhje me operacion policor të koduar”Skema”.

Finalizohet operacioni policor i koduar “SKEMA”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Operacioni nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e SPAK-ut.

Vihen në pranga 15 shtetas, procedohen penalisht 35 shtetas dhe shpallen në kërkim 23 shtetas të tjerë.

Sekuestrohen qindra pajisje kompjuterike, pajisje telefonike, karta, USB dhe dokumente të ndryshme.

Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e SPAK-ut, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.300/2021 dhe në zbatim të Vendimit nr. 359 datë 05.10.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “SKEMA”.

Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të zbatimit të letërporosisë së ardhur nga organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe me partnerët e saj gjermanë, ka filluar hetimet në lidhje me një aktivitet kriminal në fushën e “Mashtrimit kompjuterik“ e cila kishte të bënte me platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se prej disa vitesh, një subjekt tregtar nën emërtimin “Blu energy call“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave së thirrjeve telefonike ose siç njhet në vendin tonë “call center“. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët gjermanë u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Hetimet intensive prej disa muajsh të zhvilluara në vendin tonë bënë të mundur identifikimin e drejtuesve të këtij subjekti, skemën e funksionimit, si dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal.

Nga veprimet hetimore të kryera, si dhe nga ndërhyrja policore në subjektin “Bluenergycall“ nga ana e Njësisë së Hetimit të Krimeve kibernetike e mbështetur dhe nga strukturat e tjera të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale u realizua operacioni policor “SKEMA“.

Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambjente në të cilat ushtrohej aktiviteti kriminal në fushën e krimeve kibernetike, në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.

  • U ndaluan 15 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
    • U proceduan në gjendje të lirë 35 shtetas.
    • U shpallën në kërkim 21 shtetas të tjerë.

Shtetasit e mësipërm u proceduan për veprën penale “Mashtrim Kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar bga nenet 143/b/1, 333/a, 334 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj.

Në kryerjen e operacionit policor morën pjesë dhe organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Prokurorit të ardhur nga Republika Federale Gjermane dhe një skuadre të strukturave të hetimit kibernetik.

Gjithashtu, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës.

Nga ana e Njësisë C – Hetimi i Krimit Kibernetik, nën drejtimin e Prokurorisë se Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Për ecurinë e këtij hetimi do të ketë komunikime të tjera për shtyp.

Njoftimi i SPAK-ut:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg, Sektorin Qëndror Cybercrime Bayern Gjermani, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.300/2021 dhe në zbatim të Vendimit nr.359 datë 05.10.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka kryer hetime intesive në drejtim të veprës penale “Mashtrim kompjuterik, në kuadër të grupit të organizuar kriminal”.

Në këtë kuadër, me datë 16.03.2022 është ushtruar kontroll në 8 (tetë) ambjentet e subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, rruga e Kavajës, Condor Center, në Tiranë.

Gjatë kontrollit është arritur sekuestrohen pajisje kompjuterike, sisteme elektronike dhe prova të tjera materiale që dokumentojnë se subjekti “BLUENERGYCALL SHPK” me seli në Tiranë, i cili ushtronte aktivitetin e “Call Center”, në platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.

Pas analizimit dhe vlerësimit të provave të grumbulluara është bërë ndalimi i 15 (pesëmbëdhjetë) shtetasve dhe konkretisht administratorit të subjektit E. K., shtetasit Xh. Xh., me funksion IT-programues elektronik dhe 13 shtetasve të tjerë me funksion “Retention (menaxherë të sallave)” të subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 143/b, 28 pika 4 dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe fakteve objekt hetimi dhe evidentimit të gjithë shtetasve apo subjekteve tregëtare të përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm.