Ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov u ka kërkuar liderëve evropianë të bëjnë të njëjtën gjë si presidenti amerikan Joe Biden dhe ta konsiderojnë presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte”.
“Unë po u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Parlamentit Evropian që të pranojnë se Putin është një kriminel lufte, siç është bërë në Shtetet e Bashkuara.”– i tha ai një komisioni në Bruksel përmes një komunikimi me video.
“Nuk është thjesht një luftë. Është terror shtetëror.”- tha ai sipas BBC-së.
Komentet e tij vijnë pasi Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss tha gjithashtu se kishte “prova shumë, shumë të forta” se Putini ishte një “kriminel lufte”.
Ekspertët kanë paralajmëruar megjithatë se një gjuhë e tillë ka të ngjarë të përshkallëzojë edhe më tej tensionet diplomatike.
Reznikov përsëriti gjithashtu thirrjet e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për zbatimin e një zone ndalim-fluturimi për të mbrojtur vendin e tij nga sulmet ajrore dhe granatimet.
“Sa më shumë të hezitoni, aq më shumë do të perceptohet nga fëmijët dhe nipërit tanë si bashkëfajësia juaj në këtë krim.”– tha ai. “Pra, ju lutemi, merrni këtë vendim sepse elektorati juaj do të reflektojë mbi veprimet tuaja.”