Pasi nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku i njohu meritat për futjen e integrimit të Shqipërisë në BE si temë diskutimi nëpër forume në 3 muajt e fundit, kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla bëri një ftesë për opozitën gjatë fjalës së tij në Parlament.
Balla tha se sot së bashku, qeveria dhe opozita, bashkë edhe me 5 vendet e tjera të rajonit nuk duhet të kërkojnë më thjesht përshpejtim të procesit të negociatave por anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian.
“E nderuar zonja Tabaku, unë do të doja ta ftoja opozitën sot që Kuvendi i Shqipërisë, krahas Kuvendeve të Kosovës, të Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut, të Bosnjë Hercegovinës dhe të Serbisë, mos të kërkojë më thjesht dhe vetëm përshpejtim të procesit. Unë mendoj se ka ardhur koha të kërkojmë anëtarësimin e shpejtë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Konteksti i ri gjeopolitik i shkaktuar për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës e kërkon që sikurse kërkohet një përshpejtim i procesit të anëtarësimit edhe të Moldavisë, edhe të Gjeorgjisë, natyrisht natyrshëm edhe kërkesa e presidentit Zelensky për anëtarësimin e Ukrainës në BE, unë mendoj se ajo që u diskutua në Versajë mes liderëve të BE-së, që Ballkani Perëndimor duhet të jetë hapi tjetër I zgjerimit. Mendoj se ka ardhur koha që kjo gjë të marrë një rrugë të re. Natyrisht kur flasim për Integrimin do duhej që axhendat politike të gjithkujt prej nesh t’i lëmë mënjanë.
Do të ishte mirë që diskutimi sot të fokusohej pikërisht tek momenti që jemi dhe dua t’ua them mendimin tim lidhur me çfarë duhet dhe çfarë mund të bëjë sot më mirë BE me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor pa asnjë dallim.
Ne e dimë që të përmbullësh procesin e anëtarësimit kërkohet respektim i atyre që quhen kriteret e Kopenhagenit dhe që nëse flasim troç edhe me kolegët e BE-së, unë nuk di që vende të caktuara brenda BE-së sot t’I kenë respektuar ato kritere. Jam dakord me kolegët e BE-së që mendojnë se ka vende anëtare që këto kritere nuk i kanë përmbushur.
As që bëhet fjalë, të gjithë e doinë. Dhe sot BE më shumë se kurrë në gjithë historinë e vet, përveçse të qenit një organizatë politike e ekonomike që ka thyer barrierat doganore, ka krijuar një hapësirë të lëvizjes së lirë dhe të kapitaleve duhet të ketë sot një dimension të mbrojtjes. Dhe natyrshëm në një situatë gjeopolitike si kjo e sotmja është përgjegjësi e rëndë e BE-së që ka ecur me kaq shpejtësi të ngadaltë në rrugën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Të gjëna të gjitha këto, ne sot por edhe 5 vendet e tjera të BE-së duhet t’i kërkojmë me një zë vendimmarrësve të BE-së, përsa i përket aksesit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fondet e kohezionit social, fondet strukturore dhe për qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të kenë akses në tregun e punës europian. Këto 3 gjëra janë gjërat më të prekshme që mund të konkretizohen në mënyrë më të shpejtë atë që përfaqëon BE sot.”- u shpreh Balla.