Një 61-vjeçar është arrestuar nga policia në kryeqytet, pasi në banesën e tij është zbuluar një thesar i tërë veprash arti.
Bëhet fjalë për rreth 4 mijë objekte, një pjesë e mirë e të cilave dyshohet të jenë pjesë të trashëgimisë kulturore.
Në kuadër të operacionit të koduar “Cultural Heritage”, në pranga u vu Artan Koçiu 61-vjeç. Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cultural Heritage”.
Operacioni policor i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve te Paligjshme në DVP Tiranë.
Sekuestrohen rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme.
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cultural Heritage”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. K., 61 vjeç, banues në rrugën “Ali Demi”, për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një apartament në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Shyqyri Brati”, kanë gjetur rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme.
Në bashkëpunim me specialistët dhe ekspertët e Institucioneve të Specializuara në Ministrinë e Kulturës vijon puna për inventarizimin e këtyre objekteve dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.