Ministria e Jashtme e Rusisë ka hedhur poshtë akuzat se ka shkatërruar konsullatën shqiptare në Kharkiv.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në një konferencë shtypi të enjten i mohoi këto akuza.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dënoi sulmet gjoja të kryera nga forcat ruse më 6 mars, si pasojë e të cilave u dëmtuan ambientet e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
Ne refuzojmë me vendosmëri akuza të tilla. Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë kemi deklaruar se Forcat e Armatosura të Rusisë nuk qëllojnë objektet e infrastrukturës civile, synojnë të përjashtojnë humbjen e jetëve në mesin e popullatës civile.”- është shprehur Zakharova sipas TASS.
Zakharova akuzoi udhëheqjen ukrainase se po përdor metoda terroriste: “Ata vendosin pozicione luftarake dhe armë në zonat e banuara, nga ku bombardojnë lagjet urbane. Ata përdorin civilët si mburojë njerëzore dhe provokojnë qëllimisht viktima civile”.
Po ashtu sipas saj, ushtria ukrainase po pengon evakuimin e popullatës civile përmes korridoreve humanitare që Rusia ka krijuar.
Kujtojmë se më herët Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme publikoi disa foto nga shkatërrimi i godinës ku ndodhet Konsullata e nderit në Kharkov të Ukrainës dhe tha se ishte sulmuar nga Rusia.