Vendosni fjalën kyçe....

“Shtëpi bari” në Shijak – Arrestohet 32-vjeçari, merret nën hetim një punonjës policie



Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 31-vjeçar të akuzuar për përshtatjen e banesës si laborator për kultivimin e kanabisit.

Gjatë operacionit të koduar “Led” në fshatin Hardhishtë në Shijak, u ushtrua kontroll në disa banesa të dyshuara se ishin përshtatur për kultivimin e kanabisit.

Si rezultat, në një vilë dhe në një ambient (stallë), u gjendën dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale: 186 gramë kanabis 360 fara kanabisi.

Uniformat blu arrestuan 32-vjeçarin me inicialet E. K., me banim në Shijak, i cili posedonte këto ambiente.

Po ashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë për “Shpërdorim detyre”, shtetasi me inicialet A. S., me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Led”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gyqësor Durrës.

Zbulohen dy ambiente që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba.  Vihet në pranga 32-vjeçari që kishte në përdorim banesën e përshtatur për kultivim të kanabisit me llamba.  Procedohet penalisht një punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës (SPZ), për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në muajin shkurt, nga ana e Drejtorisë Rajonale të AMP Durrës, bazuar në informacionet e grumbulluara gjatë hetimit me metoda proaktive, në bashkëpunim me DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së  Rrethit Gjyqësor Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar  “Led”.

Gjatë këtij operacioni, në fshatin Hardhishtë të Njësisë Administrative Gjepalaj, Shijak, u ushtrua kontroll në disa banesa të dyshuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për kontrollin e disa banesave.

Si rezultat i kontrollit të banesave dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur që në një vilë dhe në një ambient (stallë), të gjenden dhe të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale:

186 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 360 fara cannabis sativa;

dy armë zjarri tip pushkë dhe 140 fishekë luftarak;

dy aspiratorë, 15 llamba, 15 llamba me reflektor, 13 droslera, 10 reflektorë dhe dy automjete.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 32 vjeç, me banim ne Shijak, i cili posedonte këto ambiente.

Gjithashtu, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi A. S., me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës.

Materialet kalojnë për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.