Vendosni fjalën kyçe....

Universiteti Mesdhetar hap programet e Doktoraturës në Shkencat Ekonomike


Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka hyrë në një etapë të re duke hapur ciklin e tretë të studimeve “Doktoraturë” në “Shkencat Ekonomike”.

Lajmin për Urdhërin e ri të miratimit të këtyre programeve e bënë me dije drejtuesit e këtij Universiteti, në një ceremoni të organizuar enkas për finalizimin e këtij objektivi të rëndësishëm. Me hapjen e programeve të doktoraturës Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ofron tashmë gamën e plotë të programeve të studimit në 3 cikle.

“Studimet e doktoraturës, janë një komponent shumë  i rëndësishëm në këtë stad të zhvillimit të arsimit të lartë, pasi kemi të bëjmë më një kërkim shkencor i cili nuk është formal, por është një kërkim shkencor që duhet t’i shërbejë zhvillimeve ekonomike të vendit tonë.”– u shpreh themeluesi i UMSH-së Akademik, Prof. Doktor, Anastas Angjeli.

Duke vlerësuar angazhimin e të gjithë stafit që punoi për këto programe, ai kërkoi angazhim maksimal për zbatimin e të gjitha procedurave për përzgjedhjen e aplikantëve sipas kushteve që përcakton ligji.

“Jam i sigurt që kjo arritje e Universsiteti Mesdhetar të Shqipërisë do të shoqërohet nga një transparencë shumë e madhe. UMSH do të jetë me këto programe një derë e hapur për të gjithë ata kandidatët brenda dhe jashtë vendit që do të duan të ndjekin këto studime.”- tha themeluesi i UMSH-së.

Rektori i Universitetit Mesdhetar, Akademik, Prof. Dr Adrian Civici, theksoi se kurorëzimi me sukses i programit të doktoraturës, reflekton një ndryshim cilësor brenda vetë Universitetit.

“Të marrësh miratimin për të pasur një program doktoral do të thotë se shumë elementë që kanë të bëjnë sidomos me kërkimin shkencor dhe përdorimin e tij si fuqi lëvizëse në funksion të interesave të ekonomisë dhe zhvillimit të vendit është kontributi i vërtetë që kërkohet nga studimet doktorale.”-u shpreh Civici.

Sipas tij, Universiteti Mesdhetar për të arritur këtë ndryshim ka kryer një ristrukturim kapilar të strukturave të Universitetit në funksion të ofrimit të këtyre programeve sipas standardeve dhe cilësisë maksimale.

Në  cilësinë e Drejtorit të Shkollës doktorale të Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr Paskal Milo, u shpreh se duke ju përshtatur kësaj faze të re, Universiteti Mesdhetar zotëron potenciale të mëdha shkencore veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe financave.

“Do të jemi të suksesshëm dhe sot ne inciojmë një thirrje intensive për të gjithë ata studiues të apasionuar, të përkushtuar që me punën e tyre, në radhë të parë të kryejnë obligimet që kanë ndaj vetes dhe pastaj t’i japin një dimension tjetër kërkimit shkencor në Universitetin Mesdhetar duke e prezantuar denjësisht në tregun e kërkimit shkencor kombëtar e ndërkombëtar.”- tha Drejtori i Shkollës Doktorale në UMSH.