Vendosni fjalën kyçe....

AGNA sh.a aplikon për ndërtimin e një impianti fotovoltaik 49.8 MW në Libofshë


Energjia diellore duket se është kthyer në shpresën e shumicës në kushtet kur kriza e energjisë ka goditur fort çdo sektor të ekonomisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se janë dy aplikime të reja për kapacitete jo të vogla ku subjektet kanë shprehur interes për të ndërtuar impiante duke mos përfituar nga masat mbështetëse.

Kjo do të thotë që kompanitë nëse kalojnë fazat e miratimit nuk do të kenë blerje të garantuar të energjisë nga shteti por mund ta shesin atë në treg të lirë dhe duhet të paguajnë një përqindje të caktuar si energji apo si vlerë me çmimin e tregut. Por cilat janë në fakt subjektet që kanë aplikuar.

E para është AGNA SHA . Kjo fundit ka aplikuar për një impiant fotovilatik në zonën e Libofshës me një kapacitet të instaluar 49.8 MW. Sipas faqes zyrtare të kompanisë AGNA Sh.a operon në sektorët: distribucion i produkteve të konsumit të shpejtë; hoteleri; investime në prona të patundshme; hidroenergji. Aktivitetin e saj e ka shtrirë edhe në rajon.

“Shoqëria “AGNA” SH.A. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 49.855 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Fshatin Agim, Njësia Administrative Libofshë, Bashkia Fier, Qarku Fier” thuhet në njoftim.

Shoqëria tjetër “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH” SH.P.K. sipas ministrisë ka shprehur interesin dhe ka paraqitur, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 100 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Zonën Kadastrale 1090, Njësia Administrative Ballsh, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier.

Një aplikim i tretë është për një impiant me kapacitet 2MË të cilët janë koncesione atipike që kalojnë vetëm me firmë ministri dhe që mbështeten me politikë të veçantë ku shteti u ble energjinë sipas një çmimi që llogaritet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë. Deri më tani janë në funksion 11 impiante të licencuar të kësaj natyre dhe që u blihet energjia me pak më shumë se 71.2 euro/MWh./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor