Vendosni fjalën kyçe....

“Burger King” refuzon të mbyllet në Rusi



Zinxhiri i ushqimit të shpejtë “Burger King” tha se operatori i 800 dyqaneve të tij në Rusi ka “refuzuar” mbylljen pavarësisht kërkesave për të pezulluar aktivitetin.

Sikurse raporton “BBC”, “Burger King” shpjegoi se i kishte kërkuar partnerit të tij lokal Alexander Kolobov të mbyllej, për të mbyllur dyqanet pas pushtimit rus të Ukrainës. Por mesa duket ai ka refuzuar.

Kompania pretendon se kontratat me partnerët jashtë shtetit janë “të komplikuara” dhe se nuk është në gjendje të “largohet” nga këto marrëveshje.

Shumë firma perëndimore kanë mbyllur ose pezulluar bizneset e tyre me Rusinë, që pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, një numër i vogël, duke përfshirë këtu edhe “Burger King”-un nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë sepse dyqanet e tyre drejtohen nga partnerë ekskluziviteti nën marrëveshje ligjore “komplekse“.

BBC thotë se ka kontaktuar një përfaqësues të Z. Kolobov për koment.

Në një letër drejtuar stafit, presidenti i Restaurant Brands International, David Shear tha: “Ne kontaktuam operatorin kryesor të biznesit dhe kërkuam pezullimin e operacioneve të restorantit Burger King në Rusi. Ai ka refuzuar ta bëjë këtë.”

Shear shtoi se bërja e çdo ndryshimi në biznesin lokal “në fund do të kërkonte mbështetjen e autoriteteve ruse në terren dhe ne e dimë se kjo praktikisht nuk do të ndodhë së shpejti”.

“Burger King” hyri në tregun rus 10 vjet më parë. Kompania tregton atje nëpërmjet një partneriteti të sipërmarrjes së përbashkët me Alexander Kolobov – i cili është operatori kryesor i përditshëm i biznesit – si dhe me VTB Capital të Rusisë dhe një firmë investimi ukrainase.

Kompanitë perëndimore mbeten nën presion për t’u tërhequr nga Rusia pas sulmit të saj ndaj Ukrainës. Të enjten, një grup prej katër deputetësh ukrainas i theksuan kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson se M&S është ende e hapur në Rusi.