Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Sot PD kallëzon në SPAK grupin e strukturuar kriminal me 50 persona, mes tyre edhe Rama


Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka dalë sot në një konferencë për mediet ku ka bërë me dije se PD do të dërgojë në SPAK 50 persona për aferën e inceneratorëve, mes të cilëve edhe kryeministrin Edi Rama.

Sipas Tabakut janë 112 prova që provojnë shkeljet e qeverisë.

“Është dorëzuar një raport i pozitës ku janë prova, fakte, procesverbale dhe të gjitha rezultatet që kemi pasur nga Komisioni Hetimor, që tregon se si është injoruar procedura. Nga ana e mezhorancës patëm një raport prej 44 faqesh që dështoi të provonte ata që ato pretendonin. Një pjesë e opozitës në bashkërendim me Ramën nuk votuan raportin të Komisionin.

PD renditi nga i pari te i fundit 10 drejtues të lartë që dëshmuan përpara shqiptarëve. Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ndërkohë që koncensionari merr para nga buxheti i shtetit. Padia që kemi përgatitur është përfundimtare që bazohet mbi punën e Komisionit Hetimor dhe ne i dorëzojmë SPAK-ut 112 prova që tregojnë se si ka operuar qeveria e Edi Ramës, si grup i strukturuar kriminal. PD krahas 3 padive të dorëzuara në SPAK gjatë javës së fundit të punës ka dorëzuar padi edhe për Ahmetajn Subashin, Veliajn.

Padia e sotshme përfshin 50 persona, përfshirë edhe anëtarët e zbatimit, të cilët kanë ndihmuar mbështetur, favorizuar tre kompani koncensionare. Ku kanë shkuar paratë? Tre individë pa asnjë eksperiencë, kapital, me të vetmen karakteristikë që ishin miq të njerëzve që janë në pushtet marrin 430 mln euro duke shkelur procedurën.”– tha Tabaku.

Sipas nënkryetares së PD, Tabaku, ky kallëzim penal është kurorëzimi i një pune të gjatë dhe voluminoze të kryer nga Komisioni dhe mbi të gjitha nga Partia Demokratike.

“E vërteta shpaguhet”- u shpreh Tabaku ndërsa po i prezantonte mediave se si skema e kompanive të kryesuara nga 3 persona me lidhje tejet të ngushta në qeveri ka mundur të sigurojë 3 kontrata me vlerë 430 milionë euro.