Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Emiljano Shullazit, i cili kishte kërkuar që të cilësohej antikushtetues vendimi per mbajtjen e tij në regjimin “41 biss”.
Kështu, Kushtetuesja ka konstatuar se Emiljano Shullazit i është cënuar e drejta për proces të rregullt ligjor.
“Shfuqizimi i vendimeve nr. 2, datë 12.01.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 63, datë 03.03.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2021-360, datë 25.05.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”- thuhet vendim.
Shullazi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin për qëndrimin e tij në regjimin e izolimit “41 biss”, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi pretendimet e tij për të dalë nga ky regjim i sigurisë së rreptë.
Megjithatë vendimi nuk do të thotë se Shullazi do të dalë nga regjimi “41 biss” por i detyron gjykatat që të shqyrtojnë aktet sekrete mbi bazën e të cilave Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim për ta izoluar Shullazin, sepse gjykatat refuzonin të shqyrtonin aktet me argumentin se është sekret.
Shullazi është në vitin e dytë të qëndrimit në këtë regjim dënimi. Vendimi për izolimin e tij në “41 biss” u miratua nga Ministria e Drejtësisë.