Këtë të premte policia ka tentuar të shoqërojë me forcë disa anëtarë të Organizatës Politike.
Siç ka njoftuar edhe Organizata Politike, aktivistët e saj kishin dalë nëpër kryeqytet për të shpërndarë lajmërime për protestën e së shtunës kundër rritjes së çmimeve.
“Sot paradite aktivistët e Organizatës Politike kanë shpërndarë lajmërime për protestën e të shtunës. Kemi qenë në stacione autobusi dhe në rrugët kryesore të qytetit, ku jemi takuar me shumë qytetarë të revoltuar nga rritja e papërballueshme e çmimeve dhe padrejtësitë shoqërore që ndjejnë çdo ditë.
Të shtunën në orën 11:00 duhet të mblidhemi si kurrë më parë për t’i treguar qeverisë së nuk mund të nëpërkëmbë një popull që është zot në vendin e vet.”- thuhej në njoftimin e Organizatës Politike.
Mirëpo siç tregohet edhe përmes këtyre pamjeve ata janë hasur me rezistencën eefektivëve të policisë të cilët kanë tentuar t’i shoqërojnë. Por në fund i kanë lënë të lirë duke u kërkuar të paraqiten më vonë në komisariat.
“PRESIONET E POLICISË NUK E NDALIN DOT PROTESTËN
Prej mëngjesit të sotëm aktivistët e Organizatës Politike kanë dalë në stacione urbani, kryqëzime dhe sheshe për të njoftuar qytetarët për protestën e ditës së shtunë.
Si gjithmonë policia bashkiake e Erion Veliajt mundohet të ndalojë aktivitetin e njerëzve që përpiqen të organizohen paqësisht kundër pushtetit, me pretendimin se është zaptuar hapësira publike. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë policia bashkiake ka njoftuar policinë e rendit. Në Sheshin Skënderbej kanë ardhur dy patrulla të policisë së rendit duke tentuar të marrin me dhunë aktivistët e Organizatës Politike, duke shkelur kësisoj ligjin e tubimeve që lejon mbledhjen e qytetarëve në hapësira publike.
Përveç denoncimit publik, ne do ta vazhdojmë rezistencën tonë edhe duke kallëzuar penalisht policët që kanë tentuar dhunshëm të na pamundësojnë veprimtarinë qytetare.
Pas reagimeve dhe solidaritetit nga qytetarë të shumtë, policia e rendit është dorëzuar duke na kërkuar kërcënueshëm që pas aktivitetit të paraqitemi në polici.
Askush nuk e ndalon dot protestën popullore!
Shihemi ditën e shtunë, ora 11:00, në sheshin Skëderbej, për të marshuar drejt kryeministrisë.”– thuhet në një njoftim tjetër të Organizatës Politike.