Kryeministri Edi Rama ishte këtë të premte i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit të Miçiganit në SHBA.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në momentin kur qeveria e tij pranoi të hapte dyert për qytetarët afganë të cilët u detyruan të largohen pas ardhjes në pushtet të talebanëve në shtetin e tyre, nuk e priste që kjo e mirë t’i kthehej.
“Mirëdita të gjithëve! Gjyshja ime thoshte ‘lum ai që jep, jo ai që merr’ dhe sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë merr plotësim kuptimi i kësaj shprehjeje për mua.
Ndërkohë që sot jemi në një moment që e ilustron për mrekulli vlerën e kësaj shprehjeje. Ne as nuk na kishte shkuar nëpër mend që duke hapur dyert për viktimat e asaj situate tragjike në Afganistan, do kishim një përfitim aq të madh sa ky që kemi sot këtu për këtë universitet.
Mirëpo kjo është vlera e madhe e të dhënit të asaj që ke mundësi të japësh, sepse në një farë mënyrë energjitë shkëmbehen në këtë jetë dhe sidoqoftë vjen përsëri në një formë apo në një tjetër.
Populli thotë më mirë një mik se sa një çiflig dhe sot UBT ka një mik më të mirë se sa një çiflig dhe një fond që ne mund të jepnim edhe që sigurisht fondet janë të nevojshme, është prania dhe vullneti i Universitetit të Miçiganit për tu bërë partner strategjik i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Nisur nga një moment që në një të keqe të madhe për një grup njerëzisht na njohu dhe na afroi me njëri-tjetrin. Dhe unë kam shkuar vetë në Universitetin e Miçiganit bashkë me ministren dhe të tjerë për të garantuar që kjo lidhje e krijuar në një moment të vështirë të mos tretej por të kthehej në një lidhje të përhershme dhe me një impakt të rëndësishëm në jetën e këtij universiteti.
Unë hy ndër ata që besojnë… mbase ende jam pakicë por jam i bindur se do bëhem shumicë…. Se ky universitet është një nga Universitetet e të Ardhmes. Sepse këtu nuk është çështja thjesht siç ka qenë… këtu çështja është komplet tjetër sot dhe do të jetë gjithmonë e më shumë në fokusin e njerëzimit, elitave akademike. Qëndrueshmëria e zhvillimit dhe kapaciteti për të zhvilluar burimet natyrore dhe pasuritë që njeriu krijon përmes ndërveprimet e natyrës pa rënë në kushtet që ato të mungojnë. Dhe kjo që ndodh sot është një moment shumë domethënës në këtë drejtim.”- tha Rama.