Vendosni fjalën kyçe....

Nis protesta, qytetarët me flamuj e pankarta drejt Kryeministrisë: “T’i lutemi Zeusit për shi”


Në sheshin Skënderbej që para orës 11:00 këtë të shtunë, qytetarët kanë nisur të grumbullohen për protestën kundër së çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve dhe energjisë elektrike.

Disa nga thirrjet e protestuesve janë: “po nuk ranë çmimet do bjerë qeveria”, “nuk paguaj asnjë lekë për krizën tuaj”.

Ndërkohë në pankartat e tyre ka mbishkrime ironike, si për shembull “T’i lutemi Zeusit për shi”, duke iu referuar deklaratës virale të një prej ministreve të qeverisë Edona Bilali, e cila e krahasonte kryeministrin me Zeusin.

Pasi u mblodhën në sheshin Skënderbej, tanimë protestuesit janë drejetuar me një marshim drejt Kryeministrisë ku do të rreshtojnë kërkesat e tyre për qeverinë dhe do mbahen disa fjalime.

Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen derisa kryeministri Edi Rama të plotësojë kërkesat e tyre.

Rama nga ana e tij ka deklaruar se protestat në vend janë të turpshme dhe se po turpërojnë Shqipërinë duke i ndihmuar njëkohësisht presidentit rus Putin e luftës së tij ndaj Ukrainës.

Pak më herët, Ambasada Amerikane në vendin tonë u ka bërë thirrje shtetasve të saj që jetojnë apo po qëndrojnë në Tiranë, që të kenë kujdes dhe të shmangin zonat ku do të mbahet sot protesta kombëtare kundër rritjes së çmimeve.

KËRKESAT:

-Heqje e taksës së qarkullimit.

-Pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.

-Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë.

– Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.

– Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës.

– Përcaktim i minimumit jetik.

– Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.