Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me fermerë për masat e ndërmarra nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale, ndërkohë që para Kryeministrisë qytetarët kanë nisur të protestojnë kundër rritjes së çmimeve.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se mund të shkohet shumë larg vetëm duke bashkuar forcat.
“Mediat në të shumtën e herës priren për të dhënë lajme të këqija. Bujqësia jonë sot nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte para 7-8 vitesh. Ajo ka problemet e veta. Patjetër që në sektorin e bujqësisë kemi ende një sfidë të madhe të hapur që është sfida e mentalitetit që në shumë zona na pengon të shkojmë përpara.
Në zona të tjera ka ndryshuar. Mund të shkohet larg vetëm duke bashkuar forcat. Secili ka tokën e vet por të gjithë së bashku koordinojmë forcat për atë që do mbjellin dhe shesin së bashku. Të ndarë në prodhim por të bashkuar në shitje është sekreti i suksesit në ato zona ku kemi prodhim intensive.
Aty ku kemi shumë ndarje ndeshemi edhe me fenomenin e hedhjes fare të prodhimit. Janë sasi të vogla dhe bëhet e pamundur për t’i shitur. Kur fermerët janë të ndarë grosistët i gjejnë të përçarë. Kur fermerët janë të bashkuar marrin edhe çmime të mira.”– tha Rama.