Kina qëndron në anën e duhur të historisë për krizën në Ukrainë, siç do ta tregojë koha, dhe pozicioni i saj është në përputhje me dëshirat e shumicës së vendeve, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
“Kina nuk do pranojë kurrë asnjë shtrëngim apo presion të jashtëm dhe kundërshton çdo akuzë dhe dyshim të pabazë kundër Kinës.” – u tha Wang gazetarëve të shtunën në mbrëmje, sipas një deklarate të publikuar nga ministria e tij të dielën.
Komentet e Wang erdhën pasi presidenti i SHBA-së Biden paralajmëroi homologun e tij kinez, Xi Jinping, të premten për ‘pasoja’ nëse Pekini do i jepte mbështetje materiale pushtimit rus të Ukrainës.
Gjatë bisedës video, Xi i tha Bidenit se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe u bëri thirrje vendeve të NATO-s që të zhvillojnë një dialog me Moskën. Ai, megjithatë, nuk ia ngarkoi fajin Rusisë, sipas deklaratave të Pekinit për telefonatën.
Ëang tha se mesazhi më i rëndësishëm që dërgoi Xi ishte se Kina ka qenë gjithmonë një forcë për ruajtjen e paqes botërore.
“Ne kemi qëndruar gjithmonë për ruajtjen e paqes dhe kundër luftës.” – tha Wang, duke përsëritur se Kina do të bëjë gjykime të pavarura.
“Pozicioni i Kinës është objektiv dhe i drejtë dhe është në përputhje me dëshirat e shumicës së vendeve. Koha do të provojë se pretendimet e Kinës janë në anën e duhur të historisë.”