Vendosni fjalën kyçe....

Senatori amerikan: Marrëveshja e Arabisë Saudite me Kinën për naftën ‘gjë e madhe, e keqe’, shenjë aspak e mirë për SHBA-në


Lajmet se Arabia Saudite po shqyrton çmimin e shitjeve të naftës në Kinë duke përdorur juanin kinez në vend të dollarit amerikan, janë tejet të këqija tha Senatori Ben Sasse, (R-Neb) i cili shtoi se SHBA-ja mund të humbasë pozitën e saj në skenën botërore.

Në një intervistë për ‘Fox News Sunday’, Sasse tha se ky zhvillim, së bashku me mënyrën se si zhvillohet lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, mund të dërgojë një mesazh për pjesën tjetër të botës që mund të ketë një ndikim të rëndësishëm.

“Vetëm kjo lëvizje e sauditëve që çmimi i një pjese të mallrave të tyre ntë tregtohet në monedhën kineze ose sinjalizimi se ku po shkojnë, është një gjë e madhe, e keqe.” – tha Sasse.

“Por le të bëjmë një hap më të madh. Beteja ekzistenciale 10-vjeçare në glob është midis SHBA-së e vlerave perëndimore kundër shtypjes së eksportuar të mbikëqyrjes shtetërore të Partisë Komuniste Kineze ndaj popujve anembanë globit.”

Ai tha më tej se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës do ketë ndikim edhe në sjelljen e Kinës.

“Pjesërisht sepse lideri kinez Xi në njëfarë mënyre e mbështeti këtë pushtim. Kështu ne duhet të pranojmë se mposhtja e Vladimir Putinit ose ndihma e ukrainasve për të mposhtur Putinin këtu është një goditje e rëndësishme ndaj Kinës, pasi ajo po sheh nëse Perëndimi kishte ndonjë vullnet për t’i dalë kundër Putinit sepse Xi dëshiron të pushtojë Tajvanin.” – shtoi Senatori republikan.

Sasse vazhdoi të thoshte se objektivi i Kinës për të ‘zhvendosur dollarin’ është diçka që SHBA-ja duhet të monitorojë.

“Ne duhet ta mbajmë vëmendjen tonë mbi këtë sepse ne duhet të tregojmë se popujt liridashës në mbarë botën do të preferonin më mirë udhëheqjen e SHBA-së sesa shtypjen kineze.” – tha Sasse.

Sasse pohoi se vendet e tjera nuk do të shkonin drejt Kinës për shkak të preferencës për politikat e saj, por nga shqetësimi se ‘Amerika është e dobët’.

“Ne kemi nevojë që komandanti ynë i përgjithshëm të jetë i fortë, si në këto biseda me presidentin kinez Xi, por edhe të nxitojë në armatosjen e ukrainasve menjëherë dhe me shpejtësi.” – përfundoi Sasse.