Vendosni fjalën kyçe....

Babai plagos me thikë djalin 32-vjeçar në Berat, i riu dërgohet te “Trauma” në gjendje të rëndë


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat, ku një baba ka masakruar me thikë të birin e tij.

Sipas televizionit “News 24”, 66-vjeçari Ramo Sheroku ka goditur disa herë me thikë djalin e tij 32-vjeç Andrea Sheroku, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. 66-vjeçari mësohet se është vënë në pranga. I plagosuri është transportuar me ambulancë fillimisht në Repartin e Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit dhe më pas i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Repartin e Kirurgjisë.

Sipas mjekëve, 32-vjeçari kishte marrë goditje në pjesën e kraharorit, afër mushkërive.

Mirëpo për shkak të gjendjes së tij të rëndë, Andrea Sheroku është transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

“Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.Sh., 66 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se në banesë, pas një debati për motive të dobëta ka goditur mjet mprehës (thikë), në trup djalin e tij shtetasin A.Sh., 32 vjeç, banues në Berat.

Shtetasi A.Sh, pasi ka marrë ndihmë mjeksore në Spitalin Rajonal Berat, është transferuar në Spitalin e Traumës Tiranë për ndihmë mjeksore më të specializuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’.”- thuhet në njoftimin e Policisë.