Pasditen e sotme kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqjen nga ky post.
Në një deklaratë për mediet para mbledhjes me strukturat e PD-së, Basha tha se po e merrte këtë vendim për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja dhe për bashkimin e demokratëve.
“Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD-së, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët.”- tha Basha.
Por pas kësaj lind pyetja se kush do e marrë drejtimin e PD-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri?
Sipas statutit të PD-së, pas dorëheqjes së kryetarit pritet që Sekretari i Përgjithshëm, post të cilin e mban Gazmend Bardhi, të mbledhë Këshillin Kombëtar dhe të mandatojë një nga nënkryetarët që të drejtojë partinë. Kjo deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
E sikurse e dime, nënkryetarë të PD-së aktualisht janë Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj. Kjo pasi dy të tjerët, Grida Duma dhe Agron Gjekmarkaj dhanë dorëheqjen pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 Marsit.
“Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.”– thuhet në nenin 46 pika 4 e statutit të PD-së.