Kryeministri i Pakistanit Imran Khan ka kritikuar sërish fuqitë e huaja që u përpoqën t’i bënin presion Pakistanit për të ndërprerë lidhjet me Rusinë lidhur me operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, duke u zotuar të vazhdojë të marrë vendime sovrane që janë në interesin më të mirë të kombit dhe popullit të tij.
“Për këto tre vjet e gjysmë ne jemi përpjekur vetëm të ndihmojmë Pakistanin të përparojë.” – tha Khan për partinë e tij qeverisëse PTI, duke iu drejtuar një tubimi publik në qytetin Dargai të dielën.
Kryeministri shpjegoi pse kundërshtoi të bashkohej me korin ndërkombëtar që dënon Rusinë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, duke thënë se Pakistani nuk do të kishte fituar asgjë duke përmbushur kërkesën.
Diplomatët që përfaqësojnë gati dy duzina misione, duke përfshirë vendet e BE-së së bashku me Japoninë, Zvicrën, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, ‘thyen protokollin duke bërë kërkesën’ në një letër të 1 marsit, shtoi ai.
“Unë nuk jam përkulur para askujt dhe nuk do ta lë as kombin tim të përkulet.” – theksoi ai.
Imran Khan përballet me një votë mosbesimi këtë javë, pasi humbi shumicën e tij parlamentare pas largimeve të shumta nga partia e tij. Ai e qortoi drejtpërdrejt liderin e opozitës në Kuvendin Kombëtar, duke thënë se Shehbaz Sharif ‘i lëmonte çizmet çdo të bardhi me kostum’.
“Unë u betova se nuk do të përkulem para askujt përveç Zotit.” – përsëriti Khan, duke sjellë luftën globale kundër terrorit të udhëhequr nga SHBA si një shembull i një vendimi politik të detyruar nga Perëndimi që përfundimisht i solli Pakistanit vetëm vuajtje.
“Ne u bëmë pjesë e luftës së Amerikës kundër terrorit në Afganistan dhe humbëm 80,000 njerëz dhe 100 miliardë dollarë.”