Pas raportimeve për mijëra pula të ngordhura, prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet.
Mësohet se organi i akuzës ka kërkuar informacione për të mësuar se kur është regjistruar rasti i parë i ngordhjes së shpendëve dhe për praktikat që janë ndjekur nga institucionet përkatëse.
Në lidhje me ngjarjen kanë folur edhe përfaqësuesit e një kompanie private, ku është lonfirmuar rasti i parë i gripit të shpendëve të tipit H5N8.
“Situata ka ngelur në ngërç ligjor mes Ministrisë së Mjedisit dhe Bujqësisë. Shtabi është mbledhur dhe po mundohet që të gjendet një vend ku të groposet, duhet të jepet urdhër dhe për krerët e pulave që janë gjallë, se janë të rrezikshme duke qenë se sëmundja mund të përhapet”, tha Artan Luku menaxher i kompanisë AIBA sipas Shqiptarja.com.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet te njerëzit përmes ushqimit shpendëve dhe vezëve. Megjithatë, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, këshillohet që konsumatorët të mos marrin mish shpendësh pa certifikatë veterinare dhe pulën duhet ta gatuajnë në temperatura mbi 70°C.