Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër tabelë në rrjetet sociale për biznesin e vogël. Këtë radhë përmes kësaj tabele, ai tregon se biznesi vogël në Shqipëri nuk paguan TVSH në ndryshim nga vendet e tjera në rajon.
“Ja edhe ngarkesa e TVSH mbi biznesin e vogël, të cilin do të vazhdojmë ta mbrojmë edhe nga rritja e çmimit të energjisë, siç po mbrojmë të gjitha familjet po ashtu, si askund tjetër ku faturat e energjisë po kripen vijimësisht.”– shkruan Rama.
Më herët gjatë ditës së sotme, Rama publikoi një tabelë ku shprehej se Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe Evropë me zero taksë për biznesin e vogël.
“Ndërkohë ja edhe fakti tjetër, i vetmi vend në rajon dhe në Evropë me zero taksë për biznesin e vogël, sepse për ne kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak.”- shprehej Rama.
Sipas grafikut të publikuar nga ai, tatimi i fitimit për biznesin e vogël në Shqipëri është zero, në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut është 10 %, Malin e Zi 9 % dhe Serbi 15 %.