Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka komentuar në një intervistë për Syri TV dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe rezolutën e grupit parlamentar të prezantuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj.
Vokshi ka theksuar se Basha është shkarkuar në 11 dhjetor me votat e 4446 delegatëve dhe i ratifikuar nga vota e 44 mijë demokratëve në referendumin e 18 dhjetorit.
Deputetja e PD-së ka sqaruar se edhe deklarata e zotit Alibeaj është ai litari i lënë jashtë për të mbajtur peng bashkimin e partisë.
“Flitet për dorëheqje por unë nuk e di se nga çfarë është dorëhequr Lulzim Basha. Lulzim Basha në 11 dhjetor është shkarkuar me votën e 4446 delegatëve. Vota është ajo që vendos, Nuk e vendos as grupi parlamentar as një anëtar apo dy anëtar por sipas statutit është organizuar Kuvendi dhe në 11 dhjetor është shkarkuar me 4446 delegatë dhe në 18 dhjetor u ratifikua nga anëtarësia në referendumin ku morën pjesë 44 mijë anëtarë të PD-së. Pra është shkarkuar.
Lulzim Basha sot vetëm duhet të lironte atë karrige në atë selinë që e blindoi. Ka iku pa nder pa lavdi dhe me turp por ka lënë atë litarin përjashta që vërehet edhe në deklaratën e zotit Alibeaj. Janë ato skemat e fundit për të mbajtur peng bashkimin e PD-së. Vota është përcaktuese si bashkuese e PD-së dhe se kush e drejton partinë. Kjo nuk funksionon nëse ti ikën por të ikë edhe Berisha. Edhe zoti Alibeaj të fliste më mirë si nënkryetari i fundit që është pranë Lulzim Bashës.