Vendosni fjalën kyçe....

4iG merr zyrtarisht edhe ONE, bëhet grupi kryesues në tregun e komunikimeve elektronike


Kompania hungareze, 4iG, njoftoi zyrtarisht pasditen e të hënës marrjen e pronësisë së operatorit të dytë të telefonisë celulare në Shqipëri, ONE, Telecommunications. Në fillim të këtij muaji, 4iG pati njoftuar edhe blerjen e operatorit tjetër të komunikimeve elektronike në Shqipëri, ALBtelecom.

Blerja e ONE e bën 4iG grupin më të madh në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri. Të marrë së bashku, ONE dhe ALBtelecom kishin 1.44 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare ose rreth 55% të tregut sipas këtij treguesi. Blerja e të dy operatorëve nga 4iG pritet ta ulë numrin e operatorëve celularë në dy, nga tre që veprojnë në treg aktualisht.

Në tregun e shërbimeve fikse, nëpermjet ALBtelecom, 4iG zotëron 153 mijë abonentë të telefonisë fikse, ose rreth 78% të tregut dhe 118 mijë abonentë të shërbimit të internetit, ose 22% të tregut.

Pas miratimit të Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës këtë muaj, 4iG Plc finalizoi blerjen e 99.899% të aksioneve indirekte të One Telecommunications (ONE), nëpërmjet shoqërisë holding Albania Telecom Invest (ATI). ONE zotëron një infrakstrukturë me 632 antena transmetimi dhe, sipas kompanisë, krahas shërbimeve 4G/LTE, falë investimeve në vitet e fundit ato janë gati për të ofruar komunikim celular përmes teknologjisë 5G.

Në qershorin e vitit 2019, kompania nisi një partneritet pesëvjeçar me Ericsson për përditësimin e rrjetit dhe shërbimeve të saj, duke përmirësuar cilësinë e rrjetit me sistemet dhe pajisjet e teknologjisë më të fundit suedeze dhe duke u përgatitur për shërbimet 5G. Sipas të dhënave të ofruara nga vetë kompania, gjatë dy viteve të fundit, One Telecommunications ka investuar në total 92 milionë euro.

“Ne jemi krenarë që Grupi 4iG është bërë lider në tregun e telekomunikacionit shqiptar, falë blerjes me sukses të ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, si dhe një prej investitorëve të huaj më të mëdhenj në vend. Ne duam të jemi të pranishëm për një periudhë afatgjatë, me synimin për të kontribuar në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit. Rrjedhimisht, ne duam të hyjmë në këtë treg të Ballkanit Perëndimor edhe me zgjidhjet tona të Teknologjisë së Informacionit, krahas shërbimeve të telekomunikacionit”, tha Gellért Jászai, Drejtor i Përgjithshëm dhe aksioner kontrollues i 4iG.

Në emër të shitësve, Elvin Guri, ish-aksioneri kryesor i One Telecommunications, tha se në duart e 4iG, ONE do të vijojë të ofrojë shërbime me cilësinë dhe çmimet më të mira.

“Gjatë 3 viteve të fundit ne kemi transformuar tregun e telekomunikacionit shqiptar, duke sjellë shërbime të reja, duke përmirësuar rrënjësisht cilësinë dhe mbulimin e rrjetit të lëvizshëm ONE dhe më e rëndësishmja, kemi ndryshuar pritshmëritë e klientëve tanë, duke prezantuar në treg plane tarifore të përballueshme, me njësi komunikimi pa limit. Falenderojmë të gjithë punonjësit për mbështetjen dhe punën e palodhur, si edhe klientët për besimin,” tha ai.

Megjithëse treguesit financiarë të audituar nuk janë ende të disponueshëm, ONE bën të ditur se EBIDTA (fitimi para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) për vitin 2021 u rrit me 28.5% ose 27 milionë euro në krahasim me vitin 2020./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor