Arabia Saudite deklaroi të hënën se ‘nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi’ për rritjen e çmimeve të naftës ose zvogëlimin e furnizimit pas një serie sulmesh në një rafineri dhe objekte të tjera energjetike nga rebelët Houthi një ditë më parë.
Në një deklaratë, duke pranuar se sulmet mund të kenë ‘pasoja serioze’ për tregjet e energjisë që tashmë janë goditur nga konflikti në Ukrainë, mbretëria i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kundërshtojë rebelët Houthi për hir të ruajtjes së furnizimit me naftë në botë.
“Mbretëria thekson rëndësinë që komuniteti ndërkombëtar të kuptojë peshën e sjelljes së vazhdueshme të Iranit për pajisjen e milicive terroriste Houthi me teknologji ushtarake që synojnë të godasin vendet e prodhimit të naftës në mbretëri”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme saudite.
Anëtarët e lëvizjes rebele Houthi goditën objektet që i përkasin ‘Yanbu Aramco Sinopec Rafining Company’, një sipërmarrje e përbashkët midis sauditëve të ‘Aramco’ dhe Korporatës Petrokimike të Kinës (Sinopec) me sulme me dronë dhe raketa të dielën, duke mos shkaktuar viktima të raportuara menjëherë, por duke çuar në një pakësim të prodhimit, sipas Ministrisë Saudite të Energjisë.
SHBA i ka kërkuar bllokut të OPEC-ut të udhëhequr nga Arabia Saudite të prodhojë më shumë naftë, diçka që OPEC-u deri më tani ka kundërshtuar ta bëjë.