Ish-drejtuesi i OST-së Klodian Gradeci në intervistën për emisionin “Sot” deklaroi se KESH-i nuk ka menaxhuar si duhet situatën energjitike duke ndikuar në përkeqësimin e saj.
Gradeci shpjegoi që situata energjitike në vend nuk është vetëm faj i thatësirës por edhe si pasojë e menaxhimit.
Ai tha se KESH-i, i cili mori atributet e OSHEE-së nëpërmjet VKM-së 620, ka blerë energji gjatë kësaj kohe me kontrata afatshkurtra dhe ka rrezikuar rezervën energjitike.
“Ndërhyrja e Ministrisë përgjegjëse për Energjinë do kishte ndërhyrë me kontrata afatgjata 3 mujore, 6 mujore apo 1 vjeçare të cilat ofrohen në bursë dhe kanë çmime më avantazhuese sesa kontratat afatshkurta siç operon sot aktualisht KESH-i, i cili ka marrë atributet me Vendim të Këshillit të Ministrave. VKM nr.620 i dha atributet KESH-it që deri më parë i kishte OSHEE-ja dhe sot që flasim energjia prokurohet nga KESH-i. KESH-i ka dalë në ankand nëpërmjet një platforme dhe ble energji por i ble në nivele minimale të çuditshme sepse ble sasi të pajustifikueshme apo të papërfillshme për të mbajtur në nivel Fierzën dhe nëpërmjet këtij reagimi ose kësaj përqasje është rrezikuar rezerva energjitike e Shqipërisë”-tha Gradeci.
Më tej Gradeci tha se KESH-i duhej të kishte krijuar fondin rezervë i cili është parashikuar me VKM që në 2017 ku dihej të kishte garantuar financat për ditë të keqe duke mos përfituar nga situata e mirë e vitit 2021 ku Shqipëria ishte eksportues neto i energjisë.
“Shqipëria në vitin 2021 ka qenë “net eksportues”. Pa diskutim ka qenë një debat i lidnur diku nga muajti tetor, nëntor edhe më parë për mënyrën se si trajtohej energjia nga KESH-i përmes disa programeve të shkëmbimit apo të depozitimit të cilat nuk e avantazhuan KESH-in që ta përdorte atë situatë pozitive që ishte në vitin 2021 dhe të kishte një fond rezervë qoftë fluks fizik të energjisë ose qoftë një fond rezervë financiar siç është e parashikuar në VKM-në e 2017 “Për detyrimin e shërbimit publik” ku është e parashikuar që për të garantuar dhe për të minimizuar riskun hidrik në kohë të thatë KESH-i optimizon periudhën kur është kohë me reshje dhe hidrike. Optimizion xhepin financiar, e shet dhe mban të ardhurat që mund t’i përdori në një ditë të keqe. Nuk ekziston fondi rezervë, do të thotë që ai fond rezervë është përdorur për qëllime të tjera dhe prandaj quhet hiç. Nuk e ka krijuar kurë edhe pse në letra duhet ta kishte krijuar. Ndërkohë nuk arriti që të blinte me kontrata afatgjata për të siguruar një siguri furnizimi dhe kemi arritur në pikën që ne nuk kemi më siguri furnizimi por nuk kemi dhe mekanizmin për të mbajtur në sinkron rrjetin ku ne ndërlidheme”-tha Gradeci.