Kompanitë e sektorit energjetik kanë vijuar huamarrjen në shuma të mëdha nga sektori bankar edhe në fillim të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin janar kompanitë publike morën hua të reja në vlerën e 3.4 miliardë lekëve ose pothuajse 28 milionë eurove. Të dhënat e detajuara tregojnë se bëhet fjalë kryesisht për linja financimi afatshkurtra, në formën e ovedrafteve, të marra nga kompanitë publike të sektorit të energjetikës.
Rreth 80% e shumës është marrë në monedhën euro, ndërsa diferenca në lekë. Besohet se vijimi i huamarrjes me ritme të larta nga kompanitë publike edhe në këtë fillim viti lidhet me nevojën për blerje të energjisë elektrike nga importi.
Kushtet e pafavorshme hidrike në basenet e lumenjve kanë ndikuar negativisht prodhimin në vend dhe kanë rritur nevojën për importe të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, çmimet e energjisë elektrike në tregje janë rritur me ritme të larta, duke i bërë edhe më të shtrenjta importet dhe më të lartë nevojën për financime nga sektori bankar.
Në periudhën nëntor 2021-janar 2022, kompanitë e grupit OSHEE kanë marrë gjithsej rreth 14 miliardë lekë kredi të reja në sektorin bankar. Këto hua janë mbuluar me garanci nga qeveria shqiptare.
Për shkak të probleme të trashëguara historike dhe rreziqeve të mëdha të lidhura me aktivitetin e tyre, kompanitë e sektorit energjetik në vend nuk mund të sigurojnë dot hua nga sektori bankar pa ofrimin e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare.
Megjithatë, garancia sovrane është edhe një mënyrë për të zbutur rreziqet dhe për të mundësuar norma më të ulëta të interesit të kredive. Shifrat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) treguan se garancitë në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal sollën një rritje të fortë të garancive buxhetore në tremujorin e fundit 2021, duke i çuar ato në një total prej 23.4 miliardë lekësh, në rritje me 65% krahasuar me tremujorin e tretë dhe me 76% krahasuar me fundin e vitit 2020.
Huatë e marra gjatë vitit 2021 u mbështetën me disa lehtësi të veçanta edhe nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, që në muajin nëntor të vitit të kaluar miratoi një vendim qarkullues për ndryshime të përkohshme në rregulloren për mjaftueshmërinë e kapitalit.
Vendimi përcaktonte se, vetëm për vitin 2021, bankave do t’iu lejohet të ponderojnë me peshë rreziku zero kreditë në valutë të huaj për OSHEE, me kusht që ato të jenë të garantuara plotësisht nga qeveria shqiptare. Vendimet e mësipërme kanë mundësuar jo vetëm financimin me hua të OSHEE-së, por edhe një çmim shumë më të ulët për huatë.
Huamarrja në valutë të huaj ka shfrytëzuar bollëkun e likuiditetit që sektori bankar ka në valutë të huaj, duke iu mundësuar bankave të investojnë me një kthim të kënaqshëm dhe rrezik të ulët një pjesë të këtyre fondeve të lira. Pjesërisht, vendimi për të marrë direkt hua në monedhën euro prej bankave ka shmangur presionet në kursin e këmbimit të lekut.
Megjithatë, këto presione u ndjenë dukshëm në fillim të muajit mars, kur blerjet e mëdha të valutës nga kompanitë e sektorit energjetik sollën një mbiçmim të fortë të eurso në kursin e këmbimit valutor. Kursi i stabilizua vetëm pas ndërhyrjes në treg të Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet operacioneve të shtijes së euros. /E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor