Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Dhomës së Tregtisë Amerikane: Bordi i Transparencës për çmimet e naftës një mekanizëm i pazakontë, ndërhyrja e qeverisë lë vend për arbitraritet


Kryetari i Dhomës së Tregtisë Amerikane në Shqipëri, Enio Jaco ka reaguar për rritjen e çmimit të karburanteve në vendin tonë.

Jaco shprehet se Bordi i Transparencës për çmimet e Karburanteve i ngritur nga kryeministri Edi Rama, është një mekanizëm i pazakontë në tregun e lirë.

Sipas tij, qeveria nuk duhet të ndërhyjë në rregullimin e çmimeve gjë që sipas tij mundësi për arbitraritet dhe premisa të gabuara në treg.

“Së fundmi, qeveria ka ngritur Bordin e Transparencës për mbikëqyrjen e çmimeve, një mekanizëm i pazakontë (jo në raste krizash) në funksionimin e rregullave të tregut të lirë.

Çmimi i karburantit në Shqipëri ka qenë gjithmonë i lartë. Në fakt, Shqipëria radhitet ndër vendet më të larta në botë për çmimin e karburanteve në raport me të ardhurat mesatare.

Shkak i kësaj situate kanë qenë politikat e cunguara mbi rregullat e tregut të lirë, funksionimin e çmimeve dhe sistemin e taksave etj. Pikërisht në këtë moment, duhet vlerësuar niveli i konkurreshmërisë së tregut – nëse çmimet janë më të lartat në botë për të ardhura popullsie atëherë diçka nuk shkon me nivelin e konkurrencës. Taksat mund të adresohen me politika të përkohshme lehtësuese ndërsa konkurrenca duhet të rritet ndjeshëm në mënyrë që të prevalojnë presionet mbi uljen e çmimeve.

Por menaxhimi i çmimeve është detyrë e sektorit privat dhe jo e qeverisë. Qeveria do e ketë të pamundur t’i menaxhojë suksesshëm këtë proces, sepse është tepër kompleks dhe nuk i ka mjetet e duhura për ta bërë. Koha dhe historia globale ka treguar që vetëm tregu i lirë dhe konkurrent krijon çmimet më të mira për konsumatorin. Qeveria mund të përmirësojë kushtet për funksionimin e duhur të tregut, por ndërhyrja në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet, dhe krijon premisa të gabuara për lirinë e tregut.”- shkruan Jaco.

Ky reagim i Jaços vjen pasi çmimi i naftës është rritur përsëri gjatë ditës së sotme në pikat me pakicë të tregtimit të karburantit.

Bordi për Administrimin e çmimeve të karburanteve e ka marrë vendimim në mbledhjen e ditës së djeshme, ku është vënë re një rritje e të gjitha çmimeve të hidrokarbureve.

Kështu, një litër naftë po tregtohet me 221 lekë për litër, nga 203 lekë për litër që ishte më parë. Ndërkohë Benzina po tregtohet më lirë, me 211 lekë, nga 206 lekë për litër që ishte më parë.