Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Bashkisë së Maltepe në Turqi, Ali Kiliç, i cili ndodhet në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale pas përfundimit të këtij takimi të mbajtur në Presidencë, Meta tha se kanë diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve. Po ashtu ai thotë se Kiliç i ka përcjellë atij ftesën e liderit të opozitës turke për të vizituar Stambollin.
“Pata kënaqësinë të pres sot Kryetarin e Bashkisë së Maltepe të Turqisë, z.Ali Kiliç, me të cilin patëm një diskutim të frytshëm mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Më përcolli përshëndetjet e ngrohta të Liderit të Opozitës në Turqi, Kryetarit të Partisë Republikane, z.Kemal Kiliçdaroglu, si edhe ftesën e tij për të vizituar së afërmi Turqinë, të cilën e pranova me shumë kënaqësi.
Forcimi i miqësisë së sinqertë midis dy vendeve tona është interes i gjithanshëm dhe afatgjatë i dy popujve tanë!”-shkruan Meta.