Vendosni fjalën kyçe....

Pse dështojnë revoltat?


Nga Dorian Matlija

Jam i sigurt që ky shkrim nuk do më shtojë rrethin e miqve. Por, meqë ra fjala te miqtë, një mike e mirë e Facebook-ut, Juela Sulka, duket se i ka rënë në kokë problemit, sipas mendimit tim modest. Revoltat i dhjet mikrofoni. Sapo del mikrofoni, vërshojnë të gjitha tipologjitë drejt tij. Ca turren drejt mikrofonit sepse kanë nevojë për vëmendje dhe duan të ndjehen gjallë, ca të tjerë duan të rrisin kapitalin e tyre social duke u shfaqur si kalorësit e virtytshëm të drejtësisë sociale, ca të tjerë e shohin si mundësi katapultimi në ndonjë shkallare partiake, ca të tjerë në mënyrë të pavetëdijshme duan të hapin puplat para gjinisë së kundërt, ca të tjerë gjejnë rastin për çerek orëshin e tyre të lavdisë, ca të tjerë duan të ndajnë ndonjë ide përtej kafeve të lagjes, ca sepse janë tipike sharlatanë që gjejnë rastin t’u shesin receta shprese hallexhinjve dhe pastaj të fabrikojnë armiq për ti pasur si rrugëdalje kur të rrezikohet t’u dalë paaftësia në pah, ca sepse u pëlqen kur shohin veten në televizor, ca të tjerë sepse nuk dinë si ta nxjerrin ndryshe dufin, ca të tjerë për një eksperiencë ndryshe jemi që jemi, etj.

Dhe kështu, revolta e njerëzve të thjeshtë shuhet sepse ai mut mikrofoni i shpërqëndron njerëzit e revoltuar dhe njëkohesisht shërben edhe si valvula e shkarkimit të presionit. Njëlloj siç funksiononte dikur emisioni i Bashkimit në mëngjes, që përmes telefonatave të qytetareve shfrynte tensionet e popullit që në pikë të mëngjesit dhe të gjithë kënaqeshin se “i thanë gjërat troç” në televizor dhe “ia plasën hapur pushtetit”, paçka se dita u shkonte po prapë mizerabël sepse pushteti, përveç levave të institucioneve, lekëve, kërrbaçit, kishte në dorë edhe televizorin e darkës që ishte më i rëndësishem se ai i mëngjesit te Bashkimi.

Të vij pak te kjo revolta e fundit, e cila nuk është shuar ende. Shumica e njerëzve kanë një qasje simpliste ndaj problemit të rritjes së çmimeve, por emocionalisht janë të ngarkuar dhe ky është fakti më i rëndësishëm. Pak njerëz kanë zotësinë të bëjnë një analizë të mirëfilltë multifaktoriale për rritjen e çmimeve. Akoma më pak janë ata që kanë aftësi të gjejnë edhe zgjidhje me mend, që të funksionojnë vërtet, dhe me efekte anësore sa më minimale për anën fiskale.

Mbase një pjesë e mirë e këtyre të fundit nuk del fare në shesh sepse nuk e gjejnë veten në atë format. Por rritjen e çmimeve e ndjen kushdo dhe kjo i revolton. Populli që doli në shesh ishte i revoltuar. Pra, nuk ishte thjesht protestë, ishte revoltë. Revolta nuk ka lider. Ajo udhëhiqet nga emocioni, mllefi, ndjenja e padrejtësisë. Populli i revoltuar nuk ka nevojë për sedative, as për fjalime ndërgjegjësuese, e as për diplomaci të tipit “jemi paqësorë” apo “kjo është protestë qytetare dhe jo politike”.

Futja kot! Është politike që ç’ke me atë punë. Çdo gjë është politike dhe politika nuk është turp dhe as ekskluzivitet i disa kokrrave. Revolta mund të mos ketë detyrimisht dhunë, por ka forcë, ka aksion, ka dramë, ka daulle, ka zhurmë, ka sharje, ka pështyrje, ka edhe dajak… Ndodhin gjëra në revoltë. Është kafshë e egër revolta. Kurse protesta është kafshë e butë, e civilizuar. Revolta shkakton adrenalinë që për qeverinë prodhon frikë. Kurse protesta shkakton ndërgjegjësim për ndonjë gjë që nuk ka vëmendje nga publiku. Revolta është kimi. Protesta është punë sociale. Ka një kërcitje të fortë kur e merr revoltën gërryese dhe e hollon me ujë për të bërë një gargarë protestë para mikrofonit. Ndjehet në gjak ky momenti dhe të fik nervin.

Më kujtohet 17 maji kur qeveria rrëzoi me dhunë godinën e Teatrit. Kishte revoltë që në orët e para të mëngjesit atë ditë. Revolta erdhi duke u shtuar. Po ndodhte diçka dhe njerëzit u bashkuan vetë. Pa lider. U përplasën me policinë. Pastaj erdhi mikrofoni. Filloi patetizmi të buçiste nga bokset. Turma u tulat. Po dëgjonin thirrjet që “ne jemi për jetë demokratike dhe paqësore”, “ne kemi fjalën”, e të tjera si këto. Nga revoltë u shndërrua në protestë. Dhe pastaj, si në çdo protestë, tribuna e mikrofonistëve shpalli mbylljen e saj, me gjasmë shpresën e vijimit të nesërmen në orën 4. Kaq e pat revolta. Ditët në vijim erdhën më pak njerëz deri sa u fik.

Kujtoj edhe një rast tjetër, kur populli mblidhej çdo ditë kundër importit të armëve kimike. Nuk kishte podium. Nuk kishte mikrofon. Kishte ndonjë intervistë apo deklaratë sporadike, por asnjë lider dhe aq më tepër nuk kishte garë për mikrofonin. Ajo revoltë u shua vetëm kur qeveria u zbyth. Revoltë tjetër ishte ajo që u nxit nga vrasja e të riut Klodian Rasha. Edhe aty nuk pati mikrofon. Ajo u shua me dhunë për 6 ditë me rradhë me dajak, gaz lotsjelles dhe burg, si dhe për fat të keq sepse brezi i të rinjve u braktis nga brezi i prindërve të tyre. Por nuk u fik me retorika televizive e mikrofonistë.

Mikrofoni pra është ajo molla seksi që e merr sherrin kundër qeverisë dhe e zhvendos mes protestuësve. Si fillim të revoltuarit ndjehen keq sepse nuk kanë ardhur për të dëgjuar njëri-tjetrin. Pastaj nuk është çudi që të dëgjosh lloj lloj akuzash mes njëri-tjetrit me temën “kush jam unë e kush je ti”. Dhe e bukura është që sharlatanët janë të parët që akuzojnë dhe nuk ndahet dot shapi nga sheqeri.

Sigurisht, dikush mund të thotë “po si i bëhet për të përcjellë mesazhin te qeveria? Si i bëhet për të renditur ca pika? Si i bëhet për të shpjeguar se masat e marra nuk mjaftojnë? E pra, duhet mikrofoni”.

E para, nuk mendoj që një turmë heterogjene ka shumë pika që i bashkon. Turmën e bashkon ankthi i rritjes së çmimeve ndërkohë që rrypi është shtrënguar aty ku nuk mban. Qeveria ka faj. Meqë kryeministri vdes të marrë merita, e meriton edhe këtë hall mbi supe. Ta zgjidhë ose të ikë. Kaq u kuptua edhe pa mikrofon.

E dyta, mesazhet, pikat e presjet e detajuara, jepen në tryeza kur qeveria ulet dhe dëgjon, pasi revolta e ka bërë efektin. Jo kur qeveria nuk të dëgjon fare. Në këtë rast ka vetëm përshkallëzim që kulmon në një pikë të vetme: Rrëzimin/dorëheqjen e qeverisë. Pa detaje të tjera.

E treta, nëse masat nuk mjaftojnë, turma ia komunikon këtë gjë qeverisë me sjellje, e jo më fjalë. Mllefi dhe ndjenja e padrejtësisë i nxjerr njerëzit prapë në shesh dhe qeveria e merr mesazhin. Prezenca e turmës në shesh është vetë mesazhi.

Unë vetë nuk dua të dal më në asnjë revoltë/demonstratë ku ka mikrofon, ku ka garë dhe përplasje se kush merr skenën, ku ka fjalime patetike që vetëm drithma nuk i shkaktojnë as atij të gjatit aty lart te dritarja, e as atij policit aty poshtë te rruga.

Shënim: në foto janë jelekverdhët e Parisit kur protestonin për rritjen e çmimit të naftës dhe kur askush nuk kishte nevojë për mikrofon.