SHBA dhe NATO besojnë se Bjellorusia mundet që “së shpejti” t’i bashkohet Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës. Të paktën kështu thonë zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s për CNN.
Ka gjithnjë e më shumë “gjasa” që Bjellorusia të hyjë në konflikt, tha të hënën një zyrtar ushtarak i NATO-s.
“Putini ka nevojë për mbështetje. Çdo gjë do të ndihmonte.”– shpjegoi zyrtari, emri i të cilit nuk përmendet nga CNN.
Një burim i opozitës bjelloruse tha se njësitë luftarake bjelloruse janë gati të shkojnë në Ukrainë sa më shpejt në ditët në vijim, me mijëra forca të përgatitura për t’u vendosur. Sipas këtij burimi, kjo do të ketë më pak ndikim ushtarak sesa gjeopolitik, duke pasur parasysh implikimet që një vend tjetër i bashkohet luftës.
Një zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s tha veçmas sipas CNN-it se aleanca vlerëson se qeveria bjelloruse “po përgatit mjedisin për të justifikuar një ofensivë bjelloruse kundër Ukrainës”.
Bjellorusët votuan muajin e kaluar për të lejuar që vendi të presë përgjithmonë si forcat ruse ashtu edhe armët bërthamore, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë theksuar për CNN se ata nuk kanë parë ende asnjë provë se Rusia po lëviz armët bërthamore ose po përgatitet për këtë.
Zyrtari ushtarak i NATO-s sipas medias amerikane tha se një vendim përfundimtar për përfshirjen e Bjellorusisë në luftë duhet të merret në Moskë, dhe ende nuk ka asnjë indikacion që forcat bjelloruse po marrin pjesë në luftimet në Ukrainë.
“Nuk ka të bëjë me atë që dëshiron Lukashenko.”– shpjegoi zyrtari, duke iu referuar presidentit bjellorus. “Pyetja është: A dëshiron Putini një vend tjetër të paqëndrueshëm në rajon?
Kjo sepse sipas tij, “Përfshirja do të destabilizonte Bjellorusinë”.