Nga Agim Baçi
Të çuditshme deklaratat e disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, përfshi dhe atë të delegacionit të BE-së, ku nënvizohet respektimi i vendimit të Lulzim Bashës për t’u dorëhequr nga drejtimi i Partisë Demokratike.
Ky përgëzim do kishte kuptim të madh nëse kreu i opozitës do të ishte ai që firmoste vendimet e qeverisë, dhe si i tillë mund të ishte bërë pengesë. Në fakt, do të ishte shumë normale për të gjithë ne që të kishim deklarata prej këtyre ambasadave rëndësinë që ka funksionimi i shtetit të së drejtës, që hetimet e institucioneve të drejtësisë të mos jenë për raste qesharake, të mos jenë vetëm për nëpunës të thjeshtë, por të jenë për hetimin e atyre që janë përgjegjësit kryesorë të degradimit të shtetit ligjor, për vjedhjet e mëdha në tenderat me uniformat e policisë, për rrjedhjen e të dhënave personale dhe patronazhistët, për korrupsionin me inceneratoret, për përgjimet e Ndragetës ku dëgjohet të përmendet emri i kryebashkiakut Veliaj për dhënie leje ndërtimi në favor të grupeve kriminale, për rritjen e nivelit të borxhit publik në nivel të rrezikshëm për të ardhurën e ekonomisë së vendit apo për prishjen e rregullave të tregut, e të tjera akuza ndaj zyrtarëve të rëndësishëm shqiptarë.
Këto kancelari, që janë donatorët kryesorë të Reformës në Drejtësi, që janë donatorë për shumë projekte të tjera për fuqizimin e ekonomisë shqiptare, që janë një shpresë për ruajtjen e institucioneve demokratike, duhej të kishin bërë publike alarmin që kryebashkiaku i Tiranës, i njohur si bashkëpunëtori kryesor politik i kryeministrit Rama, deklaronte në një mbledhje të shoqatave të futbollit se “mund t’i sulte SPAK-un kujtdo”, duke lënë të kuptohet se kush e ka kontrollin politik të sistemit të drejtësisë.
Këto kancelari duhej të shqetësoheshin se si është e mundur që kreu i qeverisë mbledh biznesmenët në zyrë e tij, sikur t’i ketë vartës ministrie, duke treguar se ka vetëm klientë personalë por jo ekonomi tregu, jo konkurrencë.
Ambasadat apo kancelaritë europiane, në emër të së drejtës më elementare në një vend demokratik, mundet fare mirë të përshëndesnin qytetarët shqiptarë që protestuan për ditë me rradhë në mënyrën më demokratike për të drejtat e tyre dhe mund të inkurajonin institucionet e drejtësisë që të hetonin shkeljen e rregullave të tregut të lirë.
Pa këto alarme ndaj mosfunksionimit të shtetit të së drejtës dhe ndaj mosndëshkimit të atyre që shkelin ligjin dhe që dhunojnë rregullat e ekonomisë së tregut, entuziazmi i madh i ambasadorëve për largimin e kreut të partisë së opozitës, ngjan me ata shakatë e hidhura, si në rastin kur i sëmuri kërkon ilaçe për shërim, ndërkohë që i komunikohet se ceremoninë mortore do ta ketë model…