Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja e Turqia diskutojnë transferimin e sistemit raketor S-400 në Kiev


SHBA dhe Turqia raportohet se janë në bisedime për një marrëveshje që Ankaraja të dërgojë sistemet e saj të mbrojtjes raketore S-400 të prodhuara nga Rusia në Ukrainë në këmbim të heqjes së sanksioneve të vendosura nga Uashingtoni ndaj anëtarit të saj të NATO-s.

“Ne jemi në bisedime të vazhdueshme me Ankaranë që do të bëjë që ajo të heqë dorë nga sistemi S-400 dhe ta dërgojë atë në Kiev.” – tha një zyrtar i Pentagonit të dielën për Sky Neës Arabia. Në këmbim, tha zyrtari, Turqia mund të shohë një ‘kthim në programin e avionëve F-35 të NATO-s dhe heqjen e sanksioneve’ të vendosura nga Uashingtoni.

Një raport i mëparshëm nga Reuters citoi tre burime të thoshin se SHBA ia kishte dërguar idenë Turqisë gjatë muajit të kaluar. Asnjë kërkesë zyrtare nuk është dorëzuar, sipas Reuters, i cili sugjeroi se nuk ka gjasa që Turqia të pajtohet me idenë gjithsesi.

Ankaraja dhe Uashingtoni ende nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi raportet.

Sistemet e mbrojtjes raketore S-400 të prodhuar nga Rusia kanë qenë prej kohësh objekt mosmarrëveshjesh midis SHBA-së dhe Turqisë. Në vitin 2020, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj industrisë turke të mbrojtjes dhe e përjashtoi vendin nga programi i tij i avionëve luftarakë F-35 mbi vendimin e Ankarasë për të blerë pajisje ushtarake ruse.

Uashingtoni ka pretenduar se blerja e Turqisë ‘do rrezikonte sigurinë e teknologjisë dhe personelit ushtarak amerikan dhe do të siguronte fonde të konsiderueshme për sektorin e mbrojtjes të Rusisë’.

Që kur Rusia nisi ofensivën e saj kundër Ukrainës muajin e kaluar, SHBA-ja ka punuar për të identifikuar vendet që zotërojnë një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore, S-300 të prodhuar nga Bashkimi Sovjetik duke gjetur mënyra për t’i transferuar ato në Ukrainë.

Një vend i tillë, Sllovakia, ra dakord javën e kaluar që t’i dorëzonte Kievit sistemet e tij S-300 nëse do të furnizohej me një sistem zëvendësues nga NATO.