Vendosni fjalën kyçe....

SHBA thotë se dëshiron ta mbajë të hapur diplomacinë me Rusinë


Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se SHBA dhe Rusia do t’i mbajnë të hapura misionet e tyre diplomatike në vendet e njëra-tjetrës dhe do të ruajnë kanalet për uljen e tensioneve.

Më herët, Moska thirri ambasadorin amerikan për komentet ‘e papranueshme’ të Presidentit Biden ndaj homologut të tij rus Putin, duke paralajmëruar se marrëdhëniet me SHBA-në ishin ‘në prag të kolapsit’.

“Ne besojmë se është shumë e rëndësishme të ruhen kanalet e komunikimit me Rusinë. Dialogu i hapur është thelbësor, veçanërisht në kohë tensionesh, veçanërisht në kohë konflikti,” u tha Price gazetarëve në një konferencë të rregullt për shtyp të Departamentit të Shtetit në Uashington.

“Ne kemi kërkuar të mbajmë një prani diplomatike në Moskë dhe kemi kërkuar që rusët të jenë në gjendje të vazhdojnë të mbajnë një prani diplomatike në SHBA,” shtoi ai.

Price gjithashtu vuri në dukje ngritjen e ‘kanaleve të uljes së tensioneve në një nivel taktik me Moskën’ si provë se SHBA dhe Rusia do të mbeten në kontakt.

Komentet e Price u bënë disa orë pasi Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë thirri ambasadorin amerikan John Sullivan për ta paralajmëruar atë se marrëdhëniet midis SHBA dhe Rusisë ishin ‘në prag të kolapsit’ për shkak të deklaratave ‘të papranueshme’ të Biden.

Biden javën e kaluar e quajti Putinin një ‘vrasës’ dhe ‘kriminel lufte’, me Sekretarin e Shtetit Blinken duke i bërë jehonë akuzës ‘kriminel lufte’ në deklaratat e tij. Ministria ruse tha se deklarata të tilla ishin ‘të padenjë për një burrë shteti të një rangu kaq të lartë’.