Ambasadori në ikje i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, vijon të marrë përsëri tituj e çmime nga kryebashkiakët shqiptarë.
Këtë radhë është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ai i cili i dorëzoi sot Sorecës, “Çelësin e Tiranës”.
Në pritjen e organizuar me këtë rast, Veliaj i shprehu mirënjohjen ambasadorit të BE-së për kontributin e tij.
“Jam shumë i lumtur që, në emër të qytetit të Tiranës, në emër të Këshillit Bashkiak, ju dhuroj ‘Çelësin e Tiranës’ – një simbolikë për dikë të cilin ne e quajmë si ‘të shtëpisë’. Shumë të rinj, që sot lëvizin lirshëm në Europë, nuk e dinë se ju keni qenë një nga kontribuesit kryesorë të lëvizjes pa viza. Jam i bindur se edhe në punën tuaj të ardhshme, do të jeni një mik i këtij qyteti, në të cilin do të gjeni gjithmonë një derë të hapur.”- tha Veliaj.
Ndërsa ambasadori Soreca në fjalën e tij, e konsideroi Tiranën si shtëpinë e tij e dytë.
“Në Shqipëri kam mësuar se Europa është këtu. Europa është këtu sepse këtu është Europa! E besoj këtë shprehje sepse besoj se në të ardhmen vendi do të bëjë hapa më të mëdha drejt progresit. Besoj se si në çdo qytet evropian, Tirana do të jetë motori i zhvillimit të të gjithë vendit. Unë do të kthehem pikërisht në këtë qytet si turist, për të mos thënë si qytetar i këtij qyteti, dhe teksa do të jem duke ecur nëpër rrugët e tij, shpresoj që njerëzit të më thonë: ‘Mirëmëngjes Luigi’. Këtë çelës do ta mbaj në zyrën time në Bruksel.”- tha Soreca.
Kujtojmë se kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, pas 4 viteve shërbim në vendin tonë, do të marrë një pozicion të ri në Bruksel.
Kujtojmë se në ditët e fundit, ambasadori Soreca është shpallur qytetar nderi në Gjirokastër, si edhe në Vlorë.