Kryetari i ri i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se deputetët e grupit parlamentar do të negociojnë me përfaqësues të Foltores për të bërë të mundur bashkimin e partisë.
Ai foli lidhur me këtë në një intervistë për gazetën “Panorama”.
“Nëse lexoni me kujdes qëndrimin, aty saktësohet se i gjithë Grupi Parlamentar shprehet i gatshëm të negociojë me kolegët e pezulluar, dhe kështu do të jetë: i gjithë Grupi Parlamentar do të jetë praktikisht pjesëmarrës në negociatë dhe sigurisht, vendimmarrës për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme që synon bashkimin. Vullneti fillimisht e pastaj procesi.”- tha Alibeaj i cili shtoi se e rëndësishme për momentin është gjetja e një mekanizmi konsensual për bashkimin e partisë.
Kujtojmë se pak ditë më parë, deputeti demokrat Dashnor Sula zbuloi disa emra që sipas tij janë në negociata me deputetët që mbështesin Berishën. Emrat e përmendur nga ai janë deputetët Flamur Hoxha, Alfred Rushaj si edhe vetë ai.