Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i OSHEE-së: Nga 2017-ta janë ndërprerë investimet për të përballuar importin e energjisë


Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Energjisë, kreu i OSHEE-së Agron Çela bëri me dije se që nga vitit 2017 janë ndërprerë investimet në sektorin e energjisë, për të përballuar importin e energjisë elektrike.

Çela tha se për konsumatorët çmimi i energjisë subvencionohet nga shteti.

“Situata e emergjencës në sektorin e Energjisë Elektrike ka filluar që në shtator e deri në dhjetor, ku pati rritje eksponenciale të blerjes së energjisë elektrike në bursë, një periudhë kur Shqipëria importon. Kjo pati një impakt në financat e OSHEE-së pasi deri në fund të vitit ishte OSHEE përgjegjës për importin e energjisë dhe kjo impaktoi për ndërprerjen e investimeve për të 4 vit radhazi, ku nga 2017-ta, përjashtim bën deri diku 2018, OSHEE është detyruar që të ndërpresë investimet në infrastrukturë, në rikuperimin e humbjeve apo në infrastruktura të reja për të përballuar importin e energjisë dhe mos të ndikuar abonentin familjar apo jo familjar në tarifa. Ky impakt ka qenë i llogaritur deri në fund të nëntorit në rreth 150 milionë Euro investime të munguara për OSHEE, të cilat nga investime kanë kaluar për blerjen e energjisë elektrike.

Kjo kosto nuk është transmetuar tek konsumatori, por është mbajtur nga Operaratori dhe qeveria.

Tarifa 9.5 lekë që paguajnë familjarët është tarifë e subvencionuar. Edhe tek biznesi i vogël përsëri është tarifë e subvencionuar.

Megjithatë OSHEE i qëndron targetit të vendosur. Si dy mujor jemi në nivelin e 24% të humbjeve. Targeti është se në do të jemi nën nivelin e 19%.  Dëshira është të jemi më shumë por ka një kurbë. Vetëm niveli i humbjeve teknike, llogaritet në nivelin e 15%.

Kemi një llogaritje që për 1% humbje teknike duhet të investojmë 50-55 milionë euro. Kompania vazhdon të ketë ritëm të kënaqshëm për sa i përket arkëtimeve.

Në fillim të vitit, muajt e parë ka pasur pak probleme por tani jemi duke rikuperuar. Sa i përket kontrolleve, ne kemi bërë një rifreskim dhe kemi proceduar disa herë shkelësit e ligjit. Kemi konstatuar edhe raste të përdorimit të energjisë elektrike për bimë narkotike dhe kriptomonedhat.  Ne kemi disa projekte për investime në të gjithë zonën bregdetare. Do të jemi më të mbledhur por s’do të lëmë pas dore asnjë investim.”– tha Çela.