Vendosni fjalën kyçe....

Kryesia e PD: Të ndalet gjuha e përçarjes mes demokratëve, të krijohet grupi i punës për bashkimin e demokratëve


Pas përfundimit të mbledhjes në selinë blu, Kryesia e PD-së ka publikuar një qëndrim ku kërkon që të shmanget gjuha përçarëse mes demokratëve.

Gjithashtu Kryesia kërkon të ndërpriten iniciativat për proces të njëanshëm në bazën e partisë të lajmëruar nga grupimi i Berishës për të thirrur sërish Kuvendin Kombëtar.

Në fund, Kryesia thotë se ka krijuar një grup pune të përbërë nga anëtarë të saj Grupit Parlamentar e Kolegjit të Kryetarëve si dhe ka ftuar që të bëhen pjesë me numër të barabartë edhe mbështetësit e Berishës.

Deklarata e plotë:

1.Kryesia e Partisë apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të rishikojë pozicionin e deritanishëm përçarës mes demokratëve. Nga përçarja dhe konflikti i brendshëm mes demokratëve dëmtohet Partia Demokratike dhe përfiton vetëm regjimi i Edi Ramës.

2.Kryesia e Partisë bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo iniciative dhe procesi të njëanshëm, që është duke u kryer në bazën e partisë, sepse përbëjnë akte përçarëse mes demokratëve. Kjo do të konsiderohej si shprehje vullneti për fillimin e procesit të bashkimit.

3.Kryesia e Partisë shpall vullnetin e saj për të bërë gjithçka në funksion të bashkimit dhe fton zyrtarisht në bisedime kolegët e palës tjetër. Për këtë qëllim krijohet një grup pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve, duke ftuar që pjesë e këtij grupi pune ti’ bashkohen në numër të barabartë edhe përfaqësues të kolegëve të palës tjetër. Për konkretizimin e kësaj formule ngarkohet Kryetari i komanduar i PDSH.